Procesi mësimor do të rifillojë në muajin shtator në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit Besa Shahini në një deklaratë për mediat. Sipas ministres Shahini, 87% e nxënësve mendojnë se duhet që të kthehen në shkolla, ndërsa 13% janë dakord që mësimi të zhvillohet në kushte shtëpie.
Besa Shahini u ka kërkuar Bashkive që të marrin masa për të bërë pastrimin e ambienteve të shkollave dhe për t’u përgatitur për hapjen e tyre në muajin Shtator. I gjithë procesi mësimor do të bëhet duke respektuar protokollet e sigurisë.
“Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevoja të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla. Skenarët janë të ndryshëm. Ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta”.
Në komunikimin për mediat së bashku me ministren e Arsimit ishte edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë.
“Nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistemike të kryera nga Qendra Europiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjenës dhe masa të tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si për shembull në vendet e punës apo vendet argëtuese. Sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore”, u shpreh Manastirliu.