Ndonëse ka rritur sasinë përmes blerjeve në tre vitet e fundit, Shqipëria ka sasi të ulët të rezervave të arit krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave nga Këshilli Botëror për Arin dhe Banka Popullore e Serbisë, vendi ka aktualisht një sasi prej 2,8 ton flori, sasi kjo 13 herë më e ulët se Serbia apo gati tre herë më e pakët se Maqedonia e Veriut.
Mali i Zi me më pak se 1,1 ton dhe Kosova që nuk ka fare rezerva listohen të fundit në rajon.
Në raport me numrin e popullsisë, Serbia ka sasinë më të lartë për frymë me gati 0,05 kilogram. Edhe me këtë përllogaritje, Shqipëria renditet më mirë vetëm se Mali i Zi dhe Kosova.
Për ekspertët, rritja e rezervave të arit mund të vijë vetëm si pasojë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Holanda, India, Japonia, Zvicra, Kina, Rusia, Franca, Italia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë 10 shtet me rezervat më të larta të floririt në botë sipas Këshillit Global të Arit.