Shqipëria krijon arkivin digjital të dëshmive gojore të represionit komunist

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

“Edhe muret kanë veshë” – Krijohet arkivi i dëshmive gojore të represionit komunist në Shqipëri. Gjermania e mbështet procesin me infrastrukturë digjitale.

Një arkiv i pazakontë digjital dëshmish gojore nga të mbijetuarit e përndjekjes dhe terrorit komunist po ngrihet në Tiranë përmes platformës “Edhe muret kanë veshë”, pjesë e procesit të lustracionit që po zhvillohet në Shqipëri.

Ky proces nisi shumë vonë: 25 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, kohë gjatë së cilës krimet e komunizmit, për dy dekada e gjysmë në demokraci, mbetën jashtë vëmendjes së publikut dhe ҫdo qasjeje reflektuese. Këtë po e bën tani të mundur, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) i ngritur më 2016, përmes hapjes së arkivit të dosjeve sekrete për publikun dhe krijimit të Arkivit të dëshmive gojore. Infrastruktura moderne digjitale për këtë të fundit është donacion nga Gjermania, që ka mbështetur procesin e lustracionit dhe dhurimin e aparaturave digjitale që në ngritjen e Autoritetit.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, theksoi të martën, (29.01) rëndësinë e zbardhjes së të shkuarës, në fjalën e saj në ceremoninë e donacionit të pajisjeve moderne për arkivin e dëshmive gojore.

“Unë e di, pak më shumë, sepse jam gjermane, se të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme, por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Shumëkush mund të kishte preferuar t’i vinte kapak së shkuarës, të niste prej zeros dhe kësisoj t’ia linte harresës ҫështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Ky nuk është një proces i thjeshtë. Bindja ime është që një shoqëri duhet të përballet me të shkuarën, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë. Përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të ka edhe një të ardhme”.

Sa e errët ka qenë e shkuara e regjimit komunist në Shqipëri?

Perceptimet për të shkuarën komuniste janë të ndryshme në Shqipërinë e sotme. Sipas një studimi të Pranisë së OSBE-së në Tiranë, të kryer më 2016 del se njerëzit ose nuk dinë asgjë për represionin dhe përndjekjen politike nga ish-Sigurimi, ose japin shifra shumë të ulëta, ose shumë të larta.

Kjo ndarje është e kuptueshme në kushtet e mungesës së të drejtës për informim, përtej propagandës së regjimit komunist. Por me hapjen e dosjeve dhe deklasifikimin e dokumentave sekrete, 1944-1991, tabloja e së shkuarës së regjimit komunist në Shqipëri shfaqet sterrë e zezë. Gentiana Sula, kryetarja e AIDSSH thotë për DW: “

“Janë 212 mijë dosje të ish Sigurimit, 250 mijë kartela individuale, 15 mijë dosje hetimore gjyqësore, 21 mijë dosje të personave të përndjekur, mijëra regjistra, procesverbale, akte normative, në total 32 milionë faqe dokumenta të hartuara nga ish-Sigurim i Shtetit , nga 1944-1991 , në një Shqipëri që nuk i kalonte 3 milionë banorë.

Për të gjithë këtë dokumentacion kemi detyrim ligjor ta ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe ta vëmë në dispozicion të publikut”, thotë për DW , drejtuesja e Autoritetit, Gentiana Sula.

Kultura e Kujtesës dhe konsolidimi i saj në Shqipëri

Platforma digjitale “Edhe muret kanë veshë” është pjesë e projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar ”që AIDSSH po zbaton që prej një viti me mbështetjen UNDP dhe Italisë. Rrëfime të padëgjuara kurrë më parë, histori autentike persekutimi dhe terrori politik po mbushin nga dita në ditë arkivin digjital të dëshmive gojore. Një shans më shumë për kërkimin shkencor, edukimin qytetar krahas qasjes së lirë tek arkivi i dosjeve dhe dokumentave të tjera të ish -Sigurimit. Një shans më shumë për të krijuar dhe konsoliduar kulturën e kujtesës që në Shqipëri mbeti e pazhvilluar për 28 vjet.

” Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme. Që edhe të rinjtë që nuk e kanë përjetuar vetë, regjimin e Hoxhës, t’u mprehet vetëdija se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve, të pranuarit e njëri-tjetrit në historinë e Europës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende- diҫka e vetëkuptueshme”, tha Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Drejtuesja e Autoritetit thotë DW se klikuesit e website dhe media sociale për platformën digjitale “Edhe muret kanë veshë” përbëjnë 40 % të totalit dhe janë rini deri nga 18- 24 vjeҫ. Ajo thotë se ideja për ta ngritur këtë arkiv erdhi nga interesi i madh i rinisë dhe qytetarëve.

” Kur qytetarët, ish-viktima të persekutimit, vijnë për të parë dosjet e tyre konstatojnë që në to është vetëm një pjesë e historisë, përqasja denigruese, përbaltja që ish-Sigurimi i bënte viktimës për të përligjur persekutimin, burgosjen dhe pushkatimin. Por historia është shumë më tepër sesa ajo që është në dosje. Në to mungon përjetimi i viktimës, ҫfarë ka ndodhur para arrestimit dhe më pas. Dëshmitë gojore e bëjnë të plotë historinë,” thotë për DW, Gentiana Sula.

Shoqëria drejt rivendosjes së ekuilibrit

Dosjet e pahapura të ish-Sigurimit kanë qenë mjet presioni politik për 25 vjet. Në shtypin postkomunist dilnin emra politikanësh, zyrtarësh të lartë, figurash publike që akuzoheshin se kishin dosje si bashkëpunëtorë të policisë sekrete, ish-Sigurimit. Akuzat dhe kundërakuzat mes palëve, të pavërtetuara për 25 vjet në demokraci shkaktuan një atmosferë të sëmurë në shoqëri dhe humbjen e ekuilibrit të saj.

AIDSSH po tenton të sjellë të vërtetën e asaj që ka mbetur e dokumentuar pas një kohe kaq të gjatë mungese ligji për hapjen dhe administrimin e dosjeve sekrete, djegies apo shkatërrimit të tyre gjatë trazirave të 1997.

Shkurt histori sa më të plota viktimash, reabilitimin e tyre dhe ndjesën morale të atyre persekutorëve që janë gjallë. Gjithë ky proces do të lehtësojë rivendosjen e ekuilibrit të prishur të shoqërisë shqiptare. Dhe tregues të ekuilibrave të prishur nuk mungojnë. Ditët e fundit, një prokuror, Bujar Sheshi 61 vjeҫ, aplikoi për të qenë anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një nga institucionet më të rëndësishme të Drejtësisë së reformuar në Shqipëri. Por nga verifikimi i AIDSSH rezultoi, se kishte qenë i rekrutuar si si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, në moshën 18 vjeçare.

“Kemi edhe raste të tjera si ai i prokurorit Sheshi, që nuk e pranojnë që kanë qenë të rekrutuar nga ish-Sigurimi. Pse? Mendojnë se sistemi i automatizonte si të tillë. E mohojnë, është një peshë e madhe psikologjike për ta përballuar para familjes, fëmijëve. Por ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk duhet të jenë pjesë e drejtësisë së reformuar.

Qytetarët duan drejtësi të pastruar nga njerëz të implikuar në ish-policinë sekrete të regjimit komunist, duan të kenë besim, në një drejtësi të re, që i shërben demokracisë” thotë për DW, Gentiana Sula.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme