Shqipëria më 31 dhjetor mbyll të gjitha “lojërat e fatit”

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Mazhoranca rikonfirmoi vullnetin e palëkundur për t’i mbyllur të gjitha “lojërat e fatit” në Republikën e Shqipërisë.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave votoi dje në parim dhe nen për nen, Ligjin e ndryshuar të “lojërave të fatit”, i cili parashikon mbylljen e të gjitha basteve sportive dhe ato online, garave të ndryshme, bingove dhe kazinove në datën 31 dhjetor 2018, bën të ditur ATSH.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u tregua i prerë, duke theksuar se “nuk ka kthim mbrapa” për këtë vendim.

Ministri Ahmetaj theksoi se administratës tatimore tashmë i lind detyra për të mbledhur të gjitha detyrimet tatimore të subjekteve të “lojërave të fatit”, të cilat do të mbyllen në datën 31 dhjetor 2018.

Kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe përgëzoi deputetët socialistë të cilët nuk u lëkundën për asnjë moment nga presionet që kanë pasur gjatë këtyre dy javëve dhe votuan propozimin e qeverisë për mbylljen e “lojërave të fatit”.

Braçe propozoi që ligji të hyjë në fuqi menjëherë, pasi të votohet në Parlament.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë tha se edhe Presidenti Ilir Meta e ka mbështetur vendimin dhe “besoj se do ta pranojë këtë propozim që ligji të hyjë në fuqi menjëherë pas votimit në Parlament”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme