Në fillim të qershorit, nga Vlora, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpallur hapjen e sezonit turistik. Bashkë me të edhe synimin për të arritur brenda pesë vjetëve shifrën e 10 milionë turistëve që do ta vizitojnë Shqipërinë çdo vit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rama, madje, ka shprehur bindjen se këtë vit Shqipëria do të ketë një rritje të numrit të turistëve prej së paku 15%, ndërsa deri në vitin 2023 numri i turistëve do të arrijë në 10 milionë për vit.
Entuziazmi dhe optimizmi i Ramës gjejnë frymëzim edhe nga mediat e huaja që po e cilësojnë Shqipërinë si një “yll në ngjitje në fushën e turizmit”. E, megjithatë, me 4-5 milionë turistë në vit, prej të cilëve 40% hyjnë nga Morini i Kukësit që është njëfarë turizmi patriotik, Shqipëria renditet në vendin e 57-të në botë, më poshtë se Birmania apo Siria kur ishte në prag të luftës.
Të ardhurat prej 1.6 miliardë eurosh nga sektori i turizmit e rendisin Shqipërinë në vendin e 86-të, edhe më poshtë se Tanzania, Azerbajxhani apo Gjeorgjia, vende të padëgjuara më parë për ndonjë atraksion turistik.
Megjithatë, turizmi ka potencial të theksuar për të ndikuar në rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe në konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Në veçanti, Shqipëria është e pozicionuar strategjikisht për t’i përmbushur pritjet gjithnjë në rritje për një treg të qëndrueshëm turizmi, me orientim nga natyra dhe kultura.