Parlamenti i Shqipërisë voton të enjten një marrëveshje me Italinë për të mbajtur mijëra emigrantë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane, gjatë kohës që kërkesat e tyre për azil janë duke u trajtuar.
Sipas marrëveshjes pesëvjeçare, Shqipëria do të strehojë deri në 3,000 emigrantë në çdo kohë. Me kërkesën për azil që pritet të marrë rreth një muaj për t’u përpunuar, numri i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë deri në 36,000 në një vit, raportoi AP.
Dy qendra përpunimi do të ngrihen në Shqipëri me një kosto për Italinë prej më shumë se 600 milionë euro gjatë pesë vjetëve.
Me Partinë Socialiste të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që mban 74 nga 140 vendet e Parlamentit, marrëveshja pritet të kalojë. Presidenti më pas do të nxjerrë një dekret si hap përfundimtar i miratimit.
Dhoma e ulët e Parlamentit të Italisë miratoi marrëveshjen në janar, e ndjekur nga Senati në fillim të këtij muaji.
Marrëveshja, e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar midis Ramës dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, është pjesë e përpjekjeve të Melonit për të ndarë barrën e trajtimit të migracionit me vendet e tjera evropiane. Ajo u miratua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut.
Dy objektet në Shqipëri do të drejtohen plotësisht nga Italia, ndërkohë që kjo do të përshpejtonte kërkesat e tyre për azil. Meloni ka thënë se pret që ato të bëhen funksionale deri në pranverën e vitit 2024.