Shqipëria nga dita e hënë do të rikthejë masat e detyrueshme për mbrojtjen nga COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një konference për media së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Rama tha se vendosja e maskës do të jetë me detyrim në çdo ambient, të brendshëm apo të jashtëm dhe masa ndëshkimore në formë gjobe do t’i vijë çdo qytetari bashkë me faturën e energjisë elektrike.
“Maska nuk ka qenë as këtu dhe as në shumë vende e detyrueshme jashtë, nuk është konsideruar as e domosdoshme. Nga java e ardhme maska do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë. Masa ndëshkimore do të zbatohet te të gjithë, dhe do të paguhet te fatura e dritave. Kështu s’do ketë asnjë individ që t’i shmanget gjobës”, u shpreh Rama.
Sipas tij, një mbyllje e përgjithshme “nuk do të kursejë askënd” dhe se qytetarët duhet të solidarizohen në mënyrë që ekonomitë familjare mos të dëmtohen përsëri.
“Duhet t’i qëndrojmë strikt rregullit të ri që do të vendosim sot, nëse nuk duam të rimbyllemi”, tha kryeministri Rama.
Rama tha se edhe vendimi për faljen e të gjitha gjobave që ishin vënë nga muaji prill ishte si “përpjekje mirëkuptimi”.
“Edhe falja e gjobave që bëmë dhe mungesa e kontrolleve në ambientet e brendshme duhet parë si përpjekje për të mirëkuptuar stresin e bizneseve dhe natyrisht që është në vetëdijen e çdo qytetari, pronari të hapësirave të brendshëm të bëjë punën e vet, pa pasur nevojë për masa represive, por fatkeqësisht një pjesë s’e kanë kuptuar kështu dhe ja kanë hedhur vetes dhe familjes së tyre dhe shoqërisë, duke mos bërë gjërat elementare, vendosjen e maskën në ambientet e mbyllura”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se zbatimin e kësaj mase do ta bëjë policia e shtetit dhe ajo bashkiak, duke shtuar se objektiv i çdo shqiptari duhet të jetë të mos mbyllet.
Kryeministri i Shqipërisë kërkoi ndërgjegjësim qytetarë për të parandaluar një karantinë të dytë të përgjithshme, drejt të cilës, siç tha ai po shkojnë shumë vende.
“Ishte parashikuar që me ardhjen e vjeshtës numrat do të fillonin të rriteshin, por ndërsa në disa vende po rikthehen masat shtrënguese dhe po rishfaqet kërcënimi i një karantine të përgjithshme, ajo që ne duhet me çdo kusht të përpiqemi dhe të parandalojmë një karantinë e përgjithshme. Një karantinë e përgjithshme e dytë do të ishte tejet e vështirë për vendin, ekonomitë e shumë familjeve dhe shtetin”, tha kryeministri.
Në Shqipëri, deri në vendimin e sotëm të qeverisë, ishin hequr thuajse gjitha masat e vendosura për të ndaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit dhe autoritetet e kanë lënë në dorë të qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të kenë kujdes për veten.
Nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, deri më tani në Shqipëri është raportuar për mbi 15 mijë raste.
Prej tyre, 413 pacientë kanë vdekur.