Ministrja e Mbrojtjes s Shqipërisë, Olta Xhaçka, baskë me kryeministrin Edi Rama, kanë qenë në bazën ajrore të Kuçovës, e cila do të kthehet në bazë të NATO-së, e vetmja në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një njoftimit në profilin e saj në Facebook, Xhaçka ka treguar se kanë prezantuar aty projektbuxhetin për mbrojtje, i cili parasheh rritje për 19 për qind.
“Nga Baza Ajrore e Kuçovës, e cila së shpejti do të gumëzhojë sërish, për t’u shndërruar në bazën e vetme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, bashkë me kryeministrin Edi Rama prezantuam projektbuxhetin e rritur të Mbrojtjes për vitin 2019”, ka thënë Xhaçka, përcjell Koha.net.
“Ky buxhet shkon në 1.25% të PBB duke përmbushur njëkohësisht edhe kërkesat e Aleancës, edhe modernizimin e FA-ve, por edhe rritjen e pagave të ushtarakëve tanë. 19% rritje page për ushtarët dhe rritje graduale për gradat e tjera deri në atë major”, ka shtuar më tej.