Qeveria e Shqipërisë synon të rrisë investimet përmes projekteve të reja që garantojnë sigurinë e digave dhe rrisin cilësinë e furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin.
Komisioni i Kuvendit për Ekonominë diskutoi dhe miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH -it, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave”, që parashikon për akordimin e një financimi shtesë në vlerën 12 milionë euro, për këtë projekt.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave Erjon Luçi tha se marrëveshja synon rritjen e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të sistemit elektroenergjetik shqiptar në kaskadën e lumit Drin dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë, transmeton ATSH.
Sipas Luçit, pjesa më e madhe e digave janë amortizuar dhe nuk është bërë remonti i digave të kaskadës prej vitesh.