Në nivel simbolik do të paguajnë biletat vizitorët e monumenteve në Shqipëri gjatë sezonit turistik. Ky është një prej hapave të Qeverisë për të kthyer vëmendjen te trashëgimia kulturore, pas masave kundër pandemisë.
Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit mbajtur në Apoloni, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kanë prezantuar paketën e re turistike. Ata kanë konfirmuar edhe uljen e çmimit të biletave në monumente e lokalitete arkeologjike.
“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur-operatorët, edhe për t’ju gjendur më afër juve, sepse mendojmë se ky është momenti kyç që t’ju gjendemi pranë, pasi mendojmë fort që në këtë vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal, e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’u përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, citohet Margariti nga mediat shqiptare, shkruan KOHA.
Sipas Margaritit, në Berat kanë filluar tashmë paketat e kombinuara të biletave bashkë me shërbime të tjera. Sipas saj, ulja e çmimit të biletave për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive turistike.
“Kemi arritur që vitin e shkuar të kemi mbi 1 milion vizitorë dhe mendojmë që me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tur-operatorët kanë thënë që iu duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë në një çmim thuajse simbolik dhe këtë e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur për t’ju gjendur pranë në këto momente”, ka thënë Margariti.