I dashur Zoran,
Nuk u mendova dy herë për ta mirëpritur ftesën (që më erdhi nga OSBE-ja në Beograd) për të shkëmbyer opinione faqe botës me një koleg serb. Instuicioni se po më ftonin të merrja pjesë në “një aventurë pionerësh”, e mbi të gjitha kërshëria intelektuale për të komunikuar me një koleg nga Beogradi, ishin shumë më të forta se çdo ndërdyshje. Përveç kësaj, ishte edhe një përvojë personale që përkoi në kohë, si me porosi, me ftesën në fjalë. Sapo kam publikuar një libër timin me titullin “Sandwich”, në të cilin mbroj tezën se armiqësia mes shqiptarëve e serbëve është një dukuri e vonë historike, e cila zë fill pas mesit të shekullit XIX; para kësaj kohe, sigurisht, ka pasur fërkime, keqkuptime, e moskuptime mes tyre, por karakteristikë dalluese ka qenë bashkëjetesa. Dhe merret vesh se kjo është një tezë bajagi provokative e kontroverse, sepse ngrihet kundër një mësimi a amaneti që shqiptarët ia kanë përcjellë njëri-tjetrit nga brezi në brez, kundër një kredoje të kulturës shqiptare, të mbrojtur qysh në krye të herës prej politikanësh, akademikësh, historianësh, antropologësh, etnologësh, shkrimtarësh, poetësh, gazetarësh, e të tjerë, e të tjerë. “Serbët janë përjetësisht armiqtë tanë”, kjo është dogma e madhe e paprekshme e shqiptarëve, me të cilën ata mëkohen, tok me qumështin e nënës, qysh në djep. “Ne shqyptarë, ata janë shkje/N’mní t’shoqishoqit kemi le”, ka shkruar në fillim të shekullit XX Gjergj Fishta, prift katolik, një prej eksponentëve më të shquar të kulturës shqiptare. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe të tjerë para e pas Fishtës. E prandaj, nuk është e lehtë të hahesh me dogma të tilla. Dhe ju e dini mirë këtë gjë, pasi keni dogmat tuaja, fjala vjen atë që thotë se “Kosova është djepi i ekzistencës historike serbe” (frazën në thonjëza e kam marrë nga Memorandumi famëkeq i Akademisë serbe të Arteve e të Shkencave në vitin 1986). Është njësoj, apo jo?
Në debatin që nisi me këtë rast në shtypin shqiptar bëra që shumë vetë të mendonin se “po më hanin brirët” ca si shumë (ekziston në gjuhën serbe shprehja “më hanë brirët”? Nuk do çuditesha po të ekzistonte. Kemi dhënë e kemi marrë aq shumë me njëri-tjetrin). Gjatë fushatës promovuese të librit, për të ilustruar tezën se serbë e shqiptarë nuk kanë lindur për të qenë armiq, m’u desh të publikoja në shtyp, mes të tjerash, nja dy dokumenta që e nxirrnin me origjinë sllave nënën e heroit tonë kombëtar, me emrin Vojsava. E bëra këtë gjë në mënyën më të pafajshme që mund të mendohet, dhe më e shumta që prisja ishte reagimi i ndokujt që, krejt me qetësi, do rrekej të rrëzonte në mënyrë dokumentare qoftë dyshimet e mija mbi origjinën shqiptare të nënës së Skënderbeut, qoftë tezën time se armiqësia midis serbëve e shqiptarëve nuk është një konstante historike. Por nuk ndodhi kjo. Me ndonjë përjashtim të rrallë, askush nuk eci kësaj ane. Unë kisha hapur një kuti Pandore, nga e cila shpërtheu së pari një urrejtje e madhe e shqiptarëve për serbët (që, siç dihet tanimë, është edhe e serbëve për shqiptarët), e së dyti një panik i çuditshëm i natyrës akademike. Një numër studjuesish e intelektualësh publikë shprehën me tone dramatike shqetësimin që dikush po u vinte në diskutim pastërtinë racore të heroit kombëtar, apo të vërtetën e bujshme të letrave historiografike shqiptare, se serbët e shqiptarët janë armiq për jetë a vdekje. Unë kisha nyjëtuar, pa qenë i vetëdijshëm, një inconvenient truth. Ishin të lënduar sa më s’kish. Fyerjet binin mbi mua me breshëri. Ndërsa njëri, intelektual nga më të njohurit në Tiranë, m’u drejtua publikisht me fjalë që të bëhej se nuk i dilnin nga goja, por nga sytë e përlotur: “Mjaft, mjaft, në ke Perëndi! Me heroin kombëtar nuk mund të bësh lojra. Nuk të lejojmë ta cënosh atë. Nuk ke të drejtë të na fyesh”. Çfarë? Prit pak, prit, se ky reagim diçka më sjell në mendje! Ah, po, më sjell në mendje ata fanatikët lëkurëhollë të fesë islame që lëndohen për hiç gjë e që nuk lejojnë askënd t’u vërë në diskutim parime të dogmës, apo ndonjë serendipity hyjnor të profetit të tyre. Të shpresojmë që intelektualëve të revoltuar shqiptarë të mos u shkojë mendja të nxjerrin ndonjë fatwa për “renegatin” Mustafa Nano.
Sipas meje, ka një problem me elitat tona kulturore, i dashur Zoran. Ato janë tradicionalisht mendjembyllura, dogmatike, auto-referenciale, shoviniste, e mbi të gjitha, kanë një marrëdhënie të shkujdesur me të vërtetën. Historianët tanë, fjala vjen, kanë bërë çmos të na mbushin mendjen se ne u përkasim kombeve të dëlirë, të papërlyer, të pafajshëm, të mëdhenj, heroikë, në një kohë që do mjaftonte fare pak inteligjencë e përunjësi për të rënë dakord se më e para gjë që mungon në Ballkan janë kombe të tillë. Dhe meqë jam te historianët, më ka bërë përshtypje që historiografia serbe e ajo shqiptare përplasen në mënyrë pothuaj fëminore në leximin e historisë së tyre të përbashkët. Nuk pajtohen në pothuaj asgjë. Dhe mjafton kjo për të arritur në përfundimin se herë njërës, herë tjetrës, shpesh herë të dyjave në të njëjtën kohë, veç e vërteta nuk u intereson. Po e ilustroj me versionin që ato japin lidhur me atë që ndodhi në Kosovë, në vitin e largët 1690.
Një përmbledhje e asaj që thotë historiografia serbe mbi këtë ngjarje do ishte si më poshtë (më korrigjoni, nëse do vini re ndonjë pasaktësi): “Austriakët ua morën Kosovën osmanëve në vjeshtën e vitit 1689, dhe në këtë mes u ndihmuan nga serbët ortodoksë, të udhëhequr nga patriarku i tyre Arsenije III Cërnojeviq. Aleanca mes austriakëve e serbëve funksionoi fillimisht, por nga fundi i vitit, turqit e rimorën veten. Fati nuk ishte me ushtrinë perandorake të perëndimit. As me serbët. Austriakët pësojnë një disfatë të rëndë në një betejë në Kaçanik, dhe në këtë pikë, ushtrisë së mundur nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të vinte majën nga thembrat, duke ruajtur shpinën prej osmanëve që nuk dinin të ndaleshin. Trupave austriake, në kthim për në shtëpitë e tyre, iu bashkua edhe një masë e madhe serbësh, që po e linin Kosovën e tyre me gra e me fëmijë për t’i ikur plojës që do kryhej nga osmanët. Ishin dhjetra mijëra familje. Vendin bosh të lënë nga serbët e zunë malësorët shqiptarë, më së shumti myslimanë, por edhe katolikë që, pasi mbërritën në Kosovë, zunë të bëheshin myslimanë. Kjo solli që Kosova të pushtohej nga shqiptarët e të islamizohej pa kthim.”
Vini re tani versionin shqiptar (të marrë nga “Historia e Popullit shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave): “Austriakët u pritën në Kosovë nga shqiptarët, të cilët ishin gati të pranonin mbrojtjen e perandorit austriak. Kur ata hynë në Prishtinë, shqiptarët e Kosovës deklaruan besnikëri ndaj tyre. Gjashtë mijë shqiptarë ortodoksë u bashkuan me austriakët. Austriakët të njëjtën situatë ndeshën edhe në Prizren, ku banorët e qytetit u dolën përpara dhe i pritën me nderime. Rreth pesë mijë shqiptarë, me ipeshkëvin e tyre Pjetër Bogdani, i pritën me breshëri të shtënash në shenjë solidariteti. Pranë gjeneralit austriak, Piccolominit, ishin kështu mbi 20 mijë shqiptarë nga Prishtina, nga Peja, nga Klina e Drenica, nga Prizreni. Shqiptarë të tjerë të palidhur me ushtrinë austriake vazhdonin kryengritjen anti-turke. Shtrirja e kryengritjes së shqiptarëve e shqetësoi Portën e Lartë. E prandaj, pasi rekuperuan pozitat që kishin, osmanët kryen mizori të papara, duke djegur fshatra të panumërta, duke shkretuar vendin, duke vrarë barbarisht ata banorë të shkretë, vetëm sepse i kishin shfaqur bindje dhe i kishin dhënë ndihmë ushtrisë gjemane.” Versioni shqiptar mbyllet me dy nënvizime shumë të forta: 1. Në përbërje të forcave serbe e shqiptare që u vunë përkrah forcave austriake, numri i shqiptarëve ishte dy herë më i madh se i serbëve; dhe 2. Ndër të shpërngulurit që nuk i kalonin 10 000 vetat, shqiptarët ishin më të shumtë.
Siç shihet, janë dy filma të ndryshëm. Në filmin e parë, shqiptarët përmenden veç në fund të ngjarjes, si kolonë e pushtues të Kosovës serbe. Ndërsa në filmin e dytë Kosova quhet e tëra e shqiptarëve, të cilët shfaqen si një trupë e vetëm anti osmane në atë ngjarje. Serbëve nuk u jepet asnjë rol në atë ngjarje.
Merret vesh, se me këta historianë ka diçka që nuk shkon. Në të njëjtën mënyrë e masë ka diçka që nuk shkon me elitat tona intelektuale e kulturore në tërësi, me kulturat tona kombëtare që kanë intoksikuar shoqëritë tona me krenari boshe, gënjeshtra, fanatizëm, urrejtje. Dhe vijojnë ta bëjnë edhe sot e kësaj dite. Intelektualët, studjuesit, akademikët, shkrimtarët, artistët, etj, kanë nevojë për një catharsis. Të gjithë kemi nevojë për një catharsis. Nëse duam t’i japim një shans paqes në këtë qoshe xanxare të botës me emrin Ballkan.
* Në “Mapo” dhe “Danas”: Letërkëmbimi Nano-Panoviç
Të shtunën, në rubrikën e fundjavës të së përditshmes “Danas”, në një faqe të tërë, ishte një shkrim i Mustafa Nanos. Ndërsa të nesërmen, shkrimi u publikua edhe në versionin online të kësaj gazete. Për dikë, mund të ketë qenë surprizë, por për ne të Mapos nuk ka qenë e tillë. Mapo dhe Danas janë marrë vesh që të publikojnë një komunikim me letra publike midis Mustafa Nanos e një kolegu serb, që shkruan për Danasin. Ishte Mustafa Nano që e përuroi këtë bashkëpunim. Shkrimi i tij ishte i pari. Pas dy javësh, do të jetë opinionisti serb Zoran Panoviç që do t’i përgjigjet, e kështu me radhë.
I pyetur nga MAPO për diçka më tepër për këtë bashkëpunim, Mustafa Nano tha: “I pari që ma ka hedhur këtë ide ka qenë shkrimtari Virgjil Muçi, që sot është diplomat i yni në Beograd. Duhet të jetë ide e tij e gjitha kjo, që mua më pëlqeu, m’u duk interesante. Sidoqoftë, diplomati Muçi është marrë vesh me OSBE-në në Beograd, dhe kështu si promotorë të kësaj iniciative janë misioni i OSBE në Beograd dhe Ambasada shqiptare në atje. Por, forma e përmbajtja e komunikimit varen nga ne që do shkruajmë, sigurisht. Kam rënë dakord me kolegun serb, me të cilin jemi takuar në Tiranë, që këtë bashkëpunim ta ndërtojmë në formën e një letërkëmbimi publik, dhe që secili prej nesh të zgjedhë vetë se për çfarë do të shkruajë, pa pasur tabu. Kjo është e gjitha.”