Shqiptarë, serbë e romë blejnë e shesin në tregje të përbashkëta

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 08:00 | Nga

Përballë ndarjeve në baza etnike që kanë dominuar në Kosovën e pasluftës, disa tregtarë të vegjël po i japin Kosovës një tjetër fotografi. Në Fushë Kosovë e në Gjilan, ata që blejnë e ata që shesin nuk pyesin për etninë e njëri- tjetrit.

Buzë rrugës kryesore, të magjistrales Prishtinë Pejë, në Bresje të Fushë Kosovës, ka zënë vend një grua e moshuar.

Vesna Andriq çdo të martë është e pranishme në tregun e Bresjes, vendi ku përveç saj ka edhe tregtarë të komuniteteve tjera.

Me ato pak gjëra që ajo i ka nxjerrë në treg, ajo mundohet ta sigurojë kafshatën e bukës.

Gruaja e shtyrë në moshë thitë se është e lodhur nga politika prandaj përton të flasë.

“Na lodhët me punën e politikës. Mua nuk më intereson asgjë përveç se si të kem një jetë më të mirë në këtë moshë. Për politikë pyetni ata që e bëjnë politikën jo neve qytetarëve”, shprehet e mllefosur Vesna Andriq.

Por ajo bëhet shumë miqësore kur pyetet për hallet e përditshme të saj dhe komunitetit në Fushë Kosovë.

“Raportet mes serbëve dhe shqiptarëve mendoj se duhet ende kohë që të jenë plotësisht të mira. Me kolegët tregtarë kam raporte të mira. Ne flasim dhe përshëndetemi me njëri-tjetrin. Unë shes artikuj tjerë, shqiptarët artikuj tjerë dhe u ofrojmë qytetarëve atë që e kërkojnë ata”, thotë ajo.

Por, Vesna dëshiron që këto raporte të jenë sikur dikur.

“Unë jam lindur e rritur në Kosovë. Kam shumë fqinj që i njoh, por nuk janë raportet sikur para viteve të 90-ta. Unë do të doja që fqinji im shqiptar të më ftonte për kafe në shtëpinë e tij, apo ai te vinte në shtëpinë time për kafe, drekë ose darkë. Për të ndodhur kjo që unë po e kërkoj do të duhej ende kohë”, thotë Vesna Andriq.

Elez Morina është një tjetër tregtar shqiptar. Ai thotë se me të gjithë shitësit e komuniteteve tjera kanë raporte të mira.

“Kur kemi kohë bëjmë biseda, por gjithçka rreth punës. Nuk na interesojnë tema të tjera”, thekson Morina.

Ai thotë se në këtë treg të gjithë janë njësoj dhe askush nuk e shikon tjetrin me sy kritik.

“Nëse më duhen para të imëta për t`iu kthyer kusurin klientëve, unë i marr te kolegët e komunitetit serb apo edhe rom. Edhe ata të njëjtën gjë e kërkojnë nga unë nëse u duhet diçka”, flet duke i shikuar në sy njerëzit Elez Morina, me shpresën se dikush do të ndalet dhe t`i bëjë pazar atij.

Në qendër të tregut ka zënë vend edhe i riu Avni Ademi, nga komuniteti rom.

Ai, si i ri, e sheh jetën nga një kënd tjetër.

“Kam shumë shokë shqiptarë që dalim në mbrëmje në Fushë Kosovë për kafe. Ndërsa, këtu në treg nuk kemi dallime se çfarë jemi, romë, serbë apo shqiptarë. Bile as që më intereson se ky përballë meje a është serb apo shqiptar. Me rëndësi është që ta kemi jetën e mirë të gjithë ne që jetojmë në Kosovë”, shprehet Avni Ademi, duke i ndihmuar klientët që dëshirojnë të blejnë nga ai.

Në Kosovë ka disa tregje ku pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme tregtojnë së bashku pa shikuar përkatësinë etnikë të shitësit apo blerësit. Këto tregje, i bashkojnë në një vend të gjithë qytetarët, pa dallim nacionaliteti dhe njëkohësisht shndërrohen në vende ku askush nuk e shikon tjetrin me sy kritik, duke kontribuuar në normalizimin e marrëdhënieve, sidomos mes serbëve dhe shqiptarëve.

Rruga “Stojadin Trajiq” në Gjilan, është adresa e vetme në të cilën jetojnë familje serbe brenda qytetit.

Rruga gjendet shumë pranë kishës ortodokse “Shën Nikolla”, ndërsa në gjatësinë jo më shumë se 100 metërshe të saj, serbët kanë krijuar hapësirë për pothuaj gjithçka që kanë nevojë: shkollën, shtëpinë e shëndetit dhe tregun.

Në këtë treg mund të gjendet pothuaj gjithçka për çdokënd.

Ky treg më së shumti vizitohet ditën e martë dhe të enjte, ditët kur mblidhen shitës nga i tërë rajoni i Gjilanit.

Disa nga ta ankohen në inspeksionin, por blerësit kanë fjalë të mira për prodhimet që i marrin. Ata janë të shumtë në numër dhe kjo e tregon që blerësit janë të kënaqur me atë që u ofrohet.

Tregu i improvizuar funksionon që nga koha e pasluftës në rrugën “Svetozar Markoviq”, si vendi i vetëm ku pjesëtarët e komunitetit serb ndihen të sigurt që t’i shesin prodhimet e tyre.

Sipas fjalëve të shitësve, blerës ka, ndërsa më së shumti vijnë për të blerë pjesëtarët e komunitetit shqiptar.

Për këta të fundit, çmimet nuk janë edhe aq të lira, por megjithatë vijnë që të furnizohen në këtë rrugë të shndërruar në treg. (Kallxo.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme