Shqiptarët e braktisën Zotin

Prishtinë | 02 Kor 2017 | 23:29 | Nga Agron Shala

Të shtunën zemra e vrau një shqiptar, në një rrugë të Kosovës. Por, e vranë për së gjalli edhe ata që ia hidhnin syrin dhe që shpejt kthenin kokën për ta harruar. E vranë për së vdekuri edhe ata që tek ai panë veç një lajm “çasti” trishtimi dhe që ia futën gjumit pa menduar se ky mund të jetë fati i secilit.

U burgos për fjalën e lirë; e dërguan me detyrim në luftë. Në Frontin sovjetik – gjatë Luftës së Dytë Botërore – e përjeton tmerrin. Edhe aty, nga njerëzit e tij gjermanë ai arrestohet, e për pak sa nuk pushkatohet. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, lirohet disi dhe kthehet në vendlindje. Por, meqë parodizonte pushtetin morbid, arrestohet dhe dërgohet sërish në fushëbeteja, ku do të kapet rob nga francezët. Megjithatë, ia del të ikte nga treni i robërve dhe i dërrmuar të ecte 600 kilometra deri në Hamburgun e tij.

Ky ishte fati i Wolfgang Borchertit (1921-1947), një njeriu që e donte artin, lirinë dhe kombin e tij, për çka e pësoi në shtetin e sunduar nga nazistët. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, fëmijën e prindërve intelektualë e gjeti me mushkëri dhe veshkë të shkatërruara. Por, jetën më shumë ia shkurtuan idealet e rrënuara.

Dhembjen e tij shpirtërore ai e përshkruan në pak veprat që la, në ato pak ditë jete që i kishin mbetur për të shkruar. Kjo ndjehet te tragjedia e vitit 1946, “Jashtë derës”. Aty flet për ushtarët, të rinjtë e përvuajtur të cilët as lumi Elba nuk i merrte kur hidheshin për t’u mbytur. I tillë ishte fati i personazhit Beckmann, alter egos së autorit dhe shumë ushtarëve të tjerë që ktheheshin për të parë se vendet e tyre i kanë zënë të tjerët. Ata ndiqen nga kujtimet, për shokët e vrarë, por nuk kanë kujt t’i japin llogari. Sepse, oficerët që jepnin urdhra nga distanca duke ngrënë havjar, bënin jetë të njëjtë luksi në “paqe” – pa përfillje për të gjallët sot dhe për të vdekurit dje. Ndërsa, prindërit që do t’ua hapnin derën bijve ushtarë, ata nuk janë më në këtë botë!

Kjo ishte koha kur njerëzit e braktisën Perëndinë, dhe Ai nuk mund të bënte gjë për ta! Në këto kohë të liga, Perëndia xhelozonte se si njerëzit e duan dhe e besojnë Vdekjen! Mu për këtë, në çdo hap, në çdo refuzim për t’ia shtrirë dorën e ndihmës, në çdo mospërfillje e mbyllje dere, Beckmann shihte një vrasje: vrasjen e tij!

***

Në rrugën Ferizaj-Gjilan, të shtunën u alivanos një person. Ishte 63 vjeç, shqiptar nga Maqedonia. I vetëm duke ecur rrugës, e pa askënd pranë, ai papritmas bie përtokë. Veturat i kalojnë pranë, shoferët dhe kalimtarët e vërejnë. Të gjithë e shikonin. Por, shoqëritë që janë të prira për të parë e dëgjuar gjithçka, nuk e zgjasin lehtë dorën e ndihmës. Ndaj, iknin në rrugën e tyre, në “punët e tyre”!

I alivanosuri lëvizte këmbët si thirrje për ndihmë. Dorëzimi shihej se nuk ishte zgjedhja e tij. Ndoshta kishte për ta thënë fjalën e fundit në asfaltin e shndërruar në shtrat vdekjeje. Apo, thjesht ta shihte një fytyrë njeriu pranë – një prehje në përpëlitjet e tij përfundimtare në këtë botë.

Por, lufta për t’u ngritur ishte e pamundur për të. Ai vdiq. Mjeku kujdestar ka thënë se vdekja e tij “ka qenë e natyrshme, pasi ka dokumente për historinë e sëmundjes”! Atë e vrau zemra e dobët! Por, si një Beckmann, si i braktisur në shoqërinë shqiptare, atë e vranë për së gjalli edhe ata që ia hidhnin syrin dhe që shpejtë e kthenin kokën për ta harruar. E vranë për së vdekuri edhe ata që tek ai panë veç një lajm “çasti” trishtimi dhe ia futën gjumit pa menduar se ky mund të jetë fati i secilit.

***

Në këtë vit, në viset ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, kishte zgjedhje. Zhgënjime kudo se kush fitoi e kush do të marrë poste. Por, askush nuk ka shpresë se do të bëhet mirë. E, aq më pak të pranohet e vërteta se shpresën e ka vrarë vet qytetari i rëndomtë shqiptar. Për këtë nuk ka faj as Turqia, as Serbia e as BE!

“Populli që zgjedh politikanët e korruptuar, mashtruesit, hajdutët dhe tradhtarët nuk janë viktima… por bashkëpunëtorë”, ka thënë George Orwell.

Shqiptarët – gjithmonë të sunduar – më 1912 e krijuan një shtet të dobët; ata e bën një revolucion qesharak “nolian” e një Mbretëri edhe më qesharake; ata e krijuan komunizmin më të ashpër në tërë Evropën; ata e kallën shtetin dhe ata e futën veten në një tranzicion pervers demokratik. Shqiptarët më 1997 e nisën luftën me Serbinë, por në ditën kur u çliruan nga NATO e humbën atë luftë. Sepse, lakmia e pakicës dhe heshtja e shumicës e vrau idealin dhe shpresën. E njëjta luftë humbi lehtë edhe në Luginë të Preshevës më 2000 e në Maqedoni më 2001.

Prandaj, jo politikanët dhe “armiqtë shekullorë” janë fajtorë. Fajet i ka pjesa sadomazohiste bashkëpjesëmarrëse në krimin ndaj vetes dhe çdo të keqeje në vend; ata që ankohen për papunësi e që duke u endur rrugëve në vikend nuk gjejnë pak minuta kohë për t’i qëndruar pranë një nevojtari e as për ta thirr ndihmën e shpejtë; ata që kthejnë kokën ndaj çdo të keqeje, me shpresën që nuk i sheh kush; populli që “dëgjon” të moçmin veç kur thotë “qeni që s’më ha le të rrojë 100 vjet” dhe “dorën që s’e rrëzon, puthe”…!!!

***

“Diku duhet ta varim përgjegjësinë tonë. Të vdekurit nuk përgjigjen. Perëndia nuk përgjigjet”, do të thoshte Beckmann.

E pra, përgjegjësinë e kanë të gjallët e rritur! Ndërsa, pasqyrë e asaj se kush janë këta është videoja e atij që vdiq në rrugë, i vetëm dhe i papërfillur.

Gjermania nuk i la gjatë në shpërfillje njerëzit si Wolfgang Borchert, që ata si ai të vdesin përherë të thyer shpirtërisht e pa i parë frytet e veprës jetësore! Gjermanët shpejt e nisën luftën tjetër për të mos pasur viktima si Beckmanni. Kështu, fati i Borchertit dhe personazhit të tij janë mësim për ta që dhembjet të mos jenë pjesë e së tashmes dhe që e kaluara të jetë mësim që nuk duhet të përsëritet. Kaq!

Ndihmona pra Perëndi, t’i ndihmojmë vetvetes! (Telegrafi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme