“Shqiptarët e Kosovës po mendojnë ta marrin me dhunë Ujmanin”

Prishtinë | 09 Shk 2019 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Marko Vuloviq, të cilin mediet e Beogradit e prezantojnë drejtor të Ujmanit, nuk e përjashton mundësinë që shqiptarët e Kosovës ta marrin me dhunë këtë Liqen në veri të Kosovës, transmeton Koha.net.

Ai ka tërhequr vërejtjen se kjo përpjekje do të kishte pasoja të paparashikueshme për të dy palët.

“Nuk mendojmë të jetë e pamundur që me dhunë ta marrin Ujmanin, porse kjo do të kishte pasoja të paparashikueshme për të dy palët. Nuk jemi të sigurt se shqiptarët nuk po mendojnë për këtë skenar”, citon b92 të ketë thënë Vuloviq.

Ai ka shtuar se drejtoria e Ujmanit çdo ditë është në kontakt me shtetin e Serbisë për të marrë vendime preventive për pengimin e “kësaj ideje të marrë”.

“Natyrisht se jemi të gatshëm edhe për skanerin më të keq, sado që sinqerisht mendoj se kjo gjë nuk do të ndodhë dhe se këtë do ta zgjidhim në mënyrë normale, me anë të bisedimeve”, ka thënë Vuloviq duke theksuar se as serbët dhe as shqiptarët nuk kanë interes që hidrocentrali të mos punojë, transmeton Koha.net.

Ai ka kundërshtuar deklaratat e zyrtarëve të Kosovës se Ujmani është resurs shtetëror i Kosovës.

“Ujmani (Gaziovda) është pronë e pakontestueshme e Serbisë. Këtë objekt e ka ndërtuar dhe e ka financuar Serbia, qoftë me fonde të veta, qoftë me fonde ndërkombëtare. Për Ujmanin është marrë një kredi e madhe të cilën e ka paguar Serbia. Kosovës këtu asgjë s’i takon. Shtetit serb duhet të bisedojë rreth tij në mënyrë që ta mbrojë pasurinë e që e ka ndërtuar dhe financuar”, ka thënë ndër të tjera Vuloviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme