Veprimtari shqiptar nga Shtetet e bashkuara të Amerikës, Ramiz Kukaj, ka bërë publike shumën e mjeteve të grumbulluara nga mbrëmja humanitare ne New York, me moton “ Vaji i burrave është kënga”, e organizuar për ndër të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, dhe 20-vjetorit nga rrëmbimi i shqiptarëve nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një tubim të organizuar në qytetin e Gjakovës, ku ishte veprimtari Kukaj, është bërë e ditur se nga kjo mbrëmje në New York janë grumbulluar 45 mijë dollarë për Shoqatën “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.
Nesrete Kumanova nga shoqata”Thirrjet e Nënave”, me këtë rast ka falënderuar veprimtarin Kukaj për iniciativën dhe organizmin e mbrëmjes humanitare, si dhe bashkatdhetarët tanë të tjerë në SHBA, për gjestin e tyre fisnik, për përkrahjen dhe sensibilizimin ndaj nënave gjakovare, të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre tash 20 vjet.
“Pas 20 vjetëve në lirë, jemi të nderuara dhe krenare se dikush mendon për ne, e ai është komuniteti shqiptaro-amerikan, e veçanërisht nikoqiri i mbrëmjes së madhe humanitare në New York, Ramiz Kukaj”, tha kryetarja e kësaj shoqate Nesrete Kumnova.
Ndërkaq, veprimtari nga SHBA, Ramiz Kukaj, i cili grumbulloi 45 mijë dollarë ia dorëzoi ato Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, në Gjakovë.
Ai në këtë tubim të organizuar veçanërisht për të përshëndeti nënat, prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Ndjejmë dhimbjen për ju nëna, sepse përjetoj si ju dhimbjen e brendshme të shpirtit tuaj të hapur nga plagët e tash 20 viteve, sepse gjendem në mesin tuaj që buron edhe ajo nga shpirti i juaj, për dikë që ringjallë shpresën e kthimit dhe të drejtësisë, krenarin sepse shikojë sot fytyrat e nënave, që edhe mbas 20 viteve bën rezistencën duke ndalë këmbën e kriminelëve që kanë lyer duart me gjak”, tha në këtë tubim veprimtari nga Amerika, Ramiz Kukaj.
Duke i quajtur nënat anëtare të dhimbjes së përbashkët, sot mbas 20 viteve në mesin e tyre, ai ndjenë dhimbjen njëzetvjeçare, dashurinë për këto nëna, dhe krenarinë e përbashkët.
Ai fajësoi vetën dhe të tjerët, duke thënë se për 20 vjet në diasporë, që i kemi 20 vjet të pritjes, nuk kemi bërë asgjë, për nënat gjakovare, që kanë humbur bijtë e tyre.
“Të respektuar miq ata që harrojnë të kaluarën, të ardhmen e kanë të errët. Ata që mbyllin sytë e kthejnë kokën dhe ata që nuk dëgjojnë kumtin tuaj, të ardhmen e tyre të errët, prandaj, ma mirë vonë sesa kurrë. Edhe, pse ndoshta i vonuar në iniciativën time, mbrëmjes së 17 shkurtit, kësaj nisme humanitare i ka dhanë shpirt njerëzit e vullnetit të mirë, atdhetarët të cilët thellë në zemër e tyre ndjejnë dhimbjen tuaj”, tha Kukaj, raporton Telegrafi.
Në anën tjetër, duke folur për gjestin e madh fisnik të shqiptarëve të Amerikës, në mbrëmjen e 17 shkurtit, Kukaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit,. Ai tha se gjithmonë është mirënjohës për ata, që atë natë jo vetëm që nderuan veten, por edhe atë për gjestin e tyre tepër fisnik.
“Dhishtë Zoti që pritjet tona si andej e këndej përtej Oqeanit t’ju vijë fundi shpejt. Ju faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe dashurin që ndjeva dy ditë me ju këtu në Gjakovë. Zoti ju ruajt dhe ju bekoftë të gjithëve”, tha në fund Kukaj.
Përndryshe, mbrëmja festive e 17 shkurtit, e cila u organizuar për nder të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ishte lidhur edhe me një aspekt shumë tragjik në Kosovë, e që ka të bëjë me personat e zhdukur në Kosovë.
Ajo mbrëmje u organizua më iniciativën e biznesmenit dhe humanistit të madh shqiptar, Ramiz Kukaj, për të vetmin qëllim për të ndihmuar Shoqatën “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.
Megjithatë, iniciativës së veprimtarit Kukaj iu përgjigjen një numër i madh i komunitetit shqiptar në Amerikë, duke i dhënë kështu përkrahje shoqatës së nënave, e cila është shumë aktive në kërkim të drejtësisë për gjetjen e më të dashurve të tyre.
Iniciatori dhe organizatori i kësaj mbrëmje, pronar i restorantit “Çka ka Qellu”, Ramiz Kukaj, ka deklaruar kohë më parë për Telegrafin, e që ishte edhe sponsor medial i kësaj mbrëmje, se kjo ide i ka ardhur para disa viteve, kur për herë të parë ka parë në televizione ka parë një fotografi të nënës nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi, e cila me sofrën e shtruar me 5 pjata me ushqim, ishte duke pritur familjarët e vet, burrin dhe katër djemtë e saj, të cilët janë të zhdukur në luftën e Kosovës para 20 viteve.
Kukaj pati thënë se për nënat gjakovare ndihem shumë borxhli, dhe theksuar se me nënat gjakovare, kemi diçka të përbashkët, kemi pritjen, që për 20 vjet presim familjarët e tyre, të gjallë ose të vdekur për tu kthyer tek të afërmit e tyre