Në qytetin e Bloomfielld Hills u mbajt takimi i shqiptarëve republikanë në SHBA me ambasadorin Richard Grenell. Meqenëse axhenda e ambasadorit ishte e shumë e ngarkuar për hir të fushatës elektorale, organizatori kishte paraparë që në takim te marrin pjesë edhe përfaqesuesit e komunitetit kalldian dhe kandidatët republikanë, që garojnë për ulëse në Kongres dhe për nivele të tjera të pushtetit.
Ambasadori Grenell, në fillim, shprehu falënderimet për angazhimin dhe punën e madhe që kanë bërë përfaqësuesit e të dy komuniteteve dhe kërkoi që të vazhdohet me intensitet edhe më të shtuar për të bindur çdo votues që të dalë në votime dhe të votojë Presidentin Trump.
Në vazhdim, ai foli për rëndësinë që kanë këto zgjedhje për Amerikën dhe botën në përgjithësi, me theks të veçantë se sa është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara që të fitojë përsëri Presidenti Trump.
Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, ai u përqendrua në qasjen që ka presidenti Trump dhe administrata e tij për bisedimet Kosovë-Serbi.
Sipas ambasadorit, Administrata Trump mendon se fillimisht duhet arritur marrëveshjet ekonomike, në mënyrë që të eliminohen të gjitha pengesat dhe të krijohet ambient i përshtatshëm për tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, në Kosovë dhe Serbi, e pastaj shumë më lehtë mund të bisedohet për problemet politike dhe mund te arrihet marrëveshja përfundimtare.
Ai premtoi se investimet do t’i bëjë Amerika si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Në vazhdim fjalën e morën përfaqësuesit shqiptarë Ruzhdi Gjoka dhe Don Fred Kalaj.
Gjokaj, fillimisht, foli për angazhimin e madh te shqiptarëve republikanë për ta ndihmuar Presidentin Trump, në këto zgjedhje. Ai falënderoi Presidentin Trump dhe ambasadorin Grenell për angazhimin e tyre në bisedimet Kosovë-Serbi, e posaçërisht për ndihmën që dhanë në krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Pastaj përkujtoi ndihmën e madhe që kanë dhënë presidentët republikanë për shtetet shqiptare e kombin tonë në përgjithesi. Ai kërkoi që edhe presidenti Trump të vazhdojë ndihmën për shtetet dhe kombin tonë. Gjokaj tha se kërkesat e komunitetit tonë për bisedimet Kosovë-Serbi, do t’ia dorëzojë me shkrim ambasadorit Grenell.
Në vazhdim, Don Fred Kalaj foli për arsyen që i nxit shqiptarët ta votojnë presidentin Trump dhe ceku rrezikun që mund t’i kanoset Amerikës dhe botës nëse fiton kandidati demokrat.
Përfaqësuesit shqiptarë premtuan një angazhim më të madh të komunitetit tonë, në mënyrë që presidenti Trump të dalë fitues në Michigan.
Të pranishmit i shtruan ambasadorit Grenell shumë pyetje, që kryesisht kishin të bënin me bisedimet Kosove-Serbi, të cilave ambasadori iu përgjigj me kënaqësi.