Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka shqyrtuar propozimi vendimin e Qeverisë me kandidatët për anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, tha se nuk duhet ngarkuar Prokurori i Shtetit, pas ia është emëruar kryetar i këtij komisioni, ngase ka edhe punë të tjera.
“Kryeprokurori i shtetit ka shumë punë dhe tash ne po e ngarkojmë edhe me një pozicion shtesë që është i rëndësishëm, unë nuk besoj që po bëjmë mirë që kryeprokurorit të shtetit po e ngarkojmë. Gabimi është tek ministria e Drejtësisë. Haxhi Gashi, Albert Zogaj, Gazmend Nushi janë tre emra të cilët nuk i përmbushin kriteret prandaj ata duhet të zëvendësohen me tjerë”.
Deputeti, Shkumbim Demalija, tha se mbështet vendimin deri sa nuk cenohet ligji.
“Njerëzit që i drejtohen këtij institucioni presin me vite të tëra. Unë jap mbështetje përveç aty ku cenohet ligji”.
Korab Sejdiu tha se duhet votohet kjo listë për anëtarë të komisionit.
“Unë besoj që i kalojmë kompetencat tona nëse themi që a janë a s’janë ekspert të drejtësisë. Ne kishim mujt me bo lista shumë më të mira. Mu më kontaktojnë vazhdimisht jurist të rijnë që po mbahen pezull. Na e kemi obligim që mos të bëhen vonesa nëse nuk ka shkelje evidente të ligjit. Është pak e tepruar me gjyqtar sepse ky provim të përgatit për avokat. Po bëjmë padrejtësi nëse e vonojmë këtë proces”.
Me një shkurt Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, me vendim të Qeverisë është emëruar kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.
Anëtarë të komisionit u emëruan gjithsej katër me nga një zëvendësanëtar. Anëtarë të komisionit janë: Haxhi Gashi me zëvendësanëtar Albert Zogaj; Nebojsha Boriciq me zëvendësanëtar Gazmend Nushi; Afërdita Bytyqi me zëvendësanëtar Qerim Fazliu si dhe Enver Peci me zëvendësanëtare Emine Kaqiku.
Në komision u bë edhe shqyrtimi i draft- Rregullores së Kuvendit i propozuar nga grupi punues si dhe shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.