Shqyrtohet padia ndaj Komunës së Prishtinës dhe KRM “Pastrimi”

Prishtinë | 06 Pri 2018 | 17:15 | Nga

Kundërmimi i kontejnerëve të mbeturinave të vendosur afër banesës së tij në Prishtinë, ka shtyrë Nexhat Xharrën që ta padisë në gjykatë, Komunën e Prishtinës dhe Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.

Fillimisht, Xharra kishte paditur vetëm Komunën e Prishtinës, mirëpo me një parashtrese të paraqitur më 16 mars të këtij viti, paditësi ka bërë zgjerimin e padisë, ashtu që si paditës të dytë ka përfshirë edhe KRM “Pastrimi”.

Në seancën e së premtes, që u mbajt për këtë rast në Gjykatën Themelore në Prishtinë, paditësi Xharra i propozoi gjykatës që pas shqyrtimit të të gjitha provave të merr vendim ashtu që të aprovon padinë e tij si të bazuar.

“Kundërmimi i mbeturinave po na shkaktohet nga faktori njeri dhe sot e kësaj dite askush nga komuna nuk e ka pa të arsyeshme të vijë dhe të heq këta kontejnerë. Në një farë formë, të paditurit po më “dënojnë” të jetojë si “idiot” nën kundërmim të kontejnerëve”, tha në fjalën e tij, paditësi Xharra.

Xharra tha që nga vendosja e këtyre kontejnerëve ai nuk ka mundur të shfrytëzojë ballkonin e tij për shkak të kundërmimit të mbeturinave.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Arta Mazreku tha se e kontestojnë padinë, pasi që Komunës së Prishtinës i mungon legjitimiteti real pasiv për të qenë palë në këtë rast.

Për të vërtetuar këtë pohim të saj, Mazreku i dorëzoi gjykatës edhe një vendim të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës ku thuhet se KRM “Pastrimi” është përgjegjëse për vendosjen e kontejnerëve në hapësirat publike.

Andaj, për këtë arsye, Mazreku i propozoi gjykatës që të refuzon si të pabazuar padinë e paditësit Xharra.

Për seancën e radhës që u caktua të mbahet më 7 maj ora 13.30, gjykatësi i rastit Ylber Shurdhiqi tha se do të ftojë edhe përfaqësues nga e paditura e dytë në këtë rast, KRM “Pastrimi”.

Sipas padisë, së ushtruar në vitin 2013, paditësi Nexhat Xharra pretendon se dikush nga Kompania “Pastrimi”, në gusht të vitit 2013, i ka vendosur pesë kontejnerë pa rrota dhe pa kapak afër dritares së banesës së tij, në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë.

Këta kontejnerë sipas paditësit, kundërmojnë vazhdimisht nga mbeturinat që hedhen aty duke shkaktuar kështu shqetësime dhe pengesa në posedim për paditësin pasi që i njëjti për shkak të erës së keqe dhe prishjes së ambientit nuk po mund ta shfrytëzoj banesën e tij, përkatësisht ballkonin e saj.

Po ashtu, sipas padisë, për shkak se kontejnerët shpesh edhe tej mbushen, mbeturinat dalin edhe në rrugë duke shkaktuar kështu edhe pengesa në komunikacion.

Këtë shqetësim të tij, paditësi thotë se e ka paraqitur edhe tek organet e Komunës së Prishtinës, mirëpo të njëjtit nuk kanë evituar pasojat e pengim posedimit dhe nuk e kanë rivendos gjendjen e posedimit ashtu siç ka qenë.

Andaj, për këtë arsye, paditësi i është drejtuar me padi Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga e cila ka kërkuar që të nxjerr aktgjykim ashtu që të obligojë kompaninë “Pastrimi” që t’i largojë ose dislokojë në një vend tjetër pesë kontejnerët e mbeturinave dhe t’i ndalohet në të ardhmen që të ndërmarrë vendime të ngjashme pasi që kundërmimi i tyre ka sjelle shqetësime tek paditësi.

Të ngjashme