Komuna e Prizrenit dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) kanë mbajtur një punëtori të përbashkët, që është realizuar si pjesë e projektit të përbashkët për reformimin e shërbimeve administrative në Komunë.
Sipas njoftimit të Zyrës komunale të informimit, në punëtori kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, drejtorët komunalë dhe zyrtarë nga kabineti i kryetarit, derisa prezantimi është bërë prej përfaqësuesve të IFC-së, shkruan sot Koha Ditore.
“Gjatë punëtorisë, përveç prezantimit të projektit, u diskutuan edhe mënyrat për thjeshtimin e procedurave administrative, me qëllim të krijimit të një sistemi më të avancuar dhe më të shpejtë në shërbim ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Ndërkaq drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Osman Hajdari, është shprehur optimist se zbatimi i këtij projekti krahas reforimit të shërbimeve administrative do të ndikojë edhe në thjeshtimin e tyre, ashtu që qytetarët t’i kryejnë ato më shpejt dhe me sa më pak ndalesa.