Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitat të Kosovës, përmes një njoftimi ka sqaruar opinionin në lidhje me rastin të moshuarit, filmimet e të cilit kanë dalë mbrëmë në media, transmeton Ekonomia Online.
Sipas ShSKUK-së, mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019, në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.H. I njëjti është pranuar, diagnostifikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike.
Pacienti fillimisht është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica, për në Klinikën Emergjente në Prishtinë.
Pacienti A.H. është kontrolluar edhe në Klinikën Emergjente disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në Klinikën Emergjente dhe të njëjtit i janë dhënë edhe këshilla të mëtutjeshme mjekësore. Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë.
Kjo nuk është hera e parë që pacienti A.H. merr ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në muajin tetor të vitit 2018, i njëjti është shtrirë për disa ditë edhe në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK ku ka marrë të gjithë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Të gjithë këto dëshmi të mjekëve i vërtetojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.