ShSKUK-ja i reagon PSD-së: Fotografitë e postuara nuk paraqesin ambientet ku jepet kemioterapia

Prishtinë | 19 Sht 2023 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se fotografitë e postuara nga Partia Socialdemokrate nuk paraqesin ambientet ku jepen kemioterapia për pacientë por që janë nyje sanitare nëpër korridore të klinikave internistike

Në një reagim në Facebook ShSKUK, ka bërë të ditur se hapësira ku referohet është një hapësirë ku nuk shfrytëzohet për asnjë shërbim shëndetësor dhe rrjedhimisht nuk është hapësirë që frekuentohet nga pacientët.

Postimi i plotë:

Në lidhje me postimin e bërë në rrjetin social Facebook, nga ana e disa personave, Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, sqaron opinionin publik se fotografitë e postuara nuk paraqesin ambientet ku jepet kemioterapia për pacientët, por janë nyje sanitare në korridorin që ndodhet në bodrumin e klinikave internistike.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rreth 700 nyje sanitare ne hapësirat e saj. Mirëmbajtja dhe intervenimet në këto hapësira janë të vazhdueshme (siç janë edhe dëmtimet), krahas një plani dinamik që merret me identifikimin e shpejtë dhe intervenimet nga Shërbimet Teknike brenda QKUK-së.

Hapësira ku referohet është një hapësirë ku nuk shfrytëzohet për asnjë shërbim shëndetësor dhe rrjedhimisht nuk është hapësirë që frekuentohet nga pacientët.

QKUK po punon intensivisht për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet e trajtimit për pacientët në të gjitha hapësirat e saj.

Për këtë presim bashkëpunimin e pacientëve dhe qytetarëve përmes sinjalizimit të problemeve në institucionet publike shëndetësore, ankesat e të cilëve do të trajtohen seriozisht nga institucionet.

Megjithatë, presim edhe nga personat që kanë ndikim që t’i verifikojnë informatat para publikimit.

Zyra e Informimit në SHSKUK do të jap për të gjithë përgjigjje të shpejtë dhe transparente.

Të ngjashme