Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik ka paralajmëruar se do ta dërgojë në gjykatë vendimin e Inspektoratit të Punës që kishte konstatuar një mori shkeljesh në shkarkimin e Basri Sejdiut nga posti i drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.
Sejdiu njoftoi se edhe shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës kishte hedhur poshtë ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK-së ndaj vendimit të shkallës së parë.
Ndërkaq, të martën, në një komunikatë për media, Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka njoftuar se e ka pranuar vendimin, por ka shtuar se do të ankohet duke thënë se Inspektorati s’e ka vlerësuar gjendjen në mënyrë adekuate.
“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, njofton se ka pranuar Vendimin me numër 7389, të datës 05.10.2020, nga ana e Inspektoratit të Punës, përmes së cilit njoftohet se është refuzuar ankesa e Bordit Drejtues, për pezullim të Vendimit të Shkallës së Parë të Inspektoratit të Punës, lidhur me shkarkimin e dr. Basri Sejdiu nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së. Bordi Drejtues i SHSKUK-së, konsideron që Inspektorati i Punës nuk ka vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë adekuate lidhur në këtë çështje, po ashtu, ka vepruar jashtë kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publik, si rrjedhojë do të procedojë këtë rast tek institucionet kompetente, konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në SHSKUK është Valbon Krasniqi.