Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka shpallur konkurs për plotësimin e pozitave të dy kardiokirurgëve që u larguan nga puna në këtë institucion. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu. Ai ka thënë se brenda një muaji pozitat e lëna bosh do të plotësohen.
Sipas tij, largimi i dy kardiokirurgëve nuk do të ndikojë në funksionimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë. “Sot (e mërkurë v.j.) e kam nënshkruar që konkursi është hapur për dy pozitat e lëna, për një muaj besoj do të përfundojë”, ka theksuar Sejdiu. Por ai ka thënë se as gjatë këtij muaji nuk do të ketë probleme në funksionim. “Absolutisht jo, nuk do të këtë probleme në funksionim, e kemi hapur konkursin dhe pozitat plotësohen së shpejti”, ka theksuar ai, shkruan sot “Koha Ditore”.
Konkursi është hapur pasi ditë më parë kardiokirurgët Raif Çavolli dhe Arbër Kutllovci kanë lënë punën në Klinikën e Kardiokirurgjisë. Ata largimin e kanë arsyetuar, siç kanë thënë, me diskriminim dhe pengesat në punën profesionale.
Menjëherë pas dorëheqjes ata janë punësuar në Spitalin Amerikan në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur ky institucion me anë të një postimi në rrjetin social Facebook. “Spitalit Amerikan i janë bashkëngjitur kardiokirurgët e njohur, dr. Raif Çavolli, në cilësinë e shefit të Departamentit të Kardiokirurgjisë dhe kardiokirurgu me eksperiencë, dr. Arbër Kutllovci”, shkruan në këtë postim.