Vetëm 24 orët e fundit, pesë raste janë raportuar për dhunë në familje në Kosovë, e prej të cilave shtatë persona janë arrestuar.
Sipas njoftimit të Policisë një person është arrestuar në Han të Elezit pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. I dyshuari në kohën kur e kishte kryer sulmin dyshohet se kishte qenë nën ndikim të alkoolit dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet.
Edhe në Istog e Gjakovë janë arrestuar dy persona pasi të njëjtit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshorteve të tyre.
Po ashtu në rajonin e Gjakovës janë arrestuar tre persona pasi dyshohet se të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një borxh, janë përfshirë në rrahje në mes veti, po ashtu njëri nga të dyshuarit që kishte tentuar t’ i ndajë dy të dyshuarit tjerë, ka kanosur me therje me thikë njërin prej tyre. Me vendim të prokurorit, të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Mitrovicë është arrestuar e dyshuara femër e cila në banesën e tyre e kishte sulmuar fizikisht nënën e saj. Viktima si pasojë e sulmit kishte pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. E dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar, rasti kalon në procedurë të rregullt.