Është një qytet në Gjermani që ka përjetuar gjëmimin e paradave më të mëdha naziste, ndëshkimin e mizorive të klikës së Adolf Hitlerit dhe që ka udhëhequr gjermanët në përballjen me të kaluarën. Është Nurembergu, nga i cili veçmas ballkanasit mund të mësojnë shumëçka.
Ngritja e Hitlerit u bë në këtë qytet, karakteri mesjetar i të cilit kishte dhënë një sfond ideal për paraqitje nacionaliste. Aty janë bërë tubimet e partisë naziste dhe janë nxjerrë ligjet raciste, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tubimet disaditëshe që mblidhnin qindra mijëra njerëz ishin kryesisht ngjarje propagandistike, të organizuara me kujdes për të përforcuar entuziazmin e partisë dhe për të shfaqur fuqinë e nazizmit në pjesën tjetër të Gjermanisë dhe botës.
Në jug të qytetit ndodhen muret e një godine gjigante, që Hitleri kishte planifikuar ta ngrinte ekskluzivisht për t’i mbajtur kongreset e partisë.
Godina në formë patkoi ka mbetur në gjysmë. Në kongreset vjetore aty gjëmohej nga fjalimet e kryenazistit, por tani ajo është kthyer në qendër dokumentimi.