ë momentin kur edukatorja e hap derën e hyrjes, dëgjohen zërat e dhjetëra fëmijëve. Dy katet e sipërme janë kthyer në çerdhe. Hera-herës njomakët, me e pa rend, i tregojnë njëri-tjetrit histori për superheronjtë e pëlqyer të filmave të animuar. Kryesisht superheronj të produksioneve më të njohura perëndimore. Asi që kanë fuqi mbinatyrore për të shpëtuar njerëzimin.
“Jo, nuk e kam ditur se në këtë shtëpi kanë qëndruar trupat e NATO-s”, thekson edukatorja fytyrëqeshur mbështetur për derën e shtëpisë. Nuk e pengon jehona e zërave të fëmijëve në katin e dytë. Zeshkania flokëgjatë duket në fillim të njëzetave, transmeton Koha Ditore.
Njëzet vjet më parë, me lule e trëndafila në dorë, dhjetëra fëmijë kishin mësyrë derën e oborrit – nja dhjetëra metra më larg – ditën e 12 qershorit 1999 – për t’i falënderuar paratrupat britanike që ishin vendosur në shtëpinë e Zija Bylykbashit. Të zotët e shtëpisë – tre vëllezërit Fetah, Zija e Mithat Bylykbashi – ende ishin refugjatë në Maqedoni e Gjermani.
Shtëpisë ia kishin dhënë gjallërinë njësitet speciale britanike, të cilat kishin hyrë të parat në Kosovë. Shumë pjesë të Prishtinës ende ishin nën kontrollin e trupave ushtarake e policore serbe, që duhej të tërhiqeshin sipas Marrëveshjes ushtarake ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë jugosllave të nënshkruar më 10 qershor 1999 në Kumanovë.
Me ushtarët e aleancës më të madhe në botë ishin edhe ekipe gazetarësh shqiptarë e ndërkombëtarë. Edhe ata do të vendoseshin nëpër shtëpitë shqiptare para se regjimi serb të tërhiqte trupat e veta nga kazermat dhe objektet e tjera publike për akomodimin e Aleancës Veriatlantike, që ndërhyri për herë të parë në emër të së drejtës ndërkombëtare.
Britanikët ishin vendosur në ditën e parë nëpër shtëpi të ndryshme të prishtinasve të dëbuar nga forcat serbe me fillimin e fushatës 78-ditore të bombardimeve në fundmars.
Alban Bujari, fotoreporter i “Kohës Ditore”, hyri me ushtarët e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Natën e parë në liri e kishte kaluar me trupat britanike te Bylykbashët. Do të dokumentonte me fotografi pritjen e ngrohtë të banorëve të mbetur në Kosovë për ushtarët e NATO-s, të cilët ende nuk e kishin marrë kontrollin e zemrës së Prishtinës.
“Pse ia puth këmbën?”
Në xhirimet e agjencisë amerikane të lajmeve “Associated Press” shihen ushtarët britanikë në oborrin e Bylykbashëve. Gjashtë fëmijë i dhurojnë lule ushtarit në rojë te dera e oborrit.