Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar së fundi në Gjilan, ku një shtetas i Shqipërisë është ndalur për kontroll nga organet e rendit, pas informacioneve se posedon substanca narkotike.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, në çantën e 23-vjeçarit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike të llojit kokainë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku sipas informacioneve që posedon Sinjali, gjatë intervistimit ka mohuar që droga të jetë e tij. Bazuar në dëshminë e të dyshuarit, kjo i është montuar nga dikush tjetër.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.