Shteti evropian shpall gjendje emergjente energjetike, Gazpromi e do krejt borxhin

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Ligjvënësit e Moldavisë e kanë miratuar gjendjen emergjente energjetike për 60 ditë për shkak të vështirësive të shtetit të vogël të Evropës Lindore rreth pagesave të gazit për kompaninë shtetërore ruse, “Gazprom”.

Kryeministrja e Moldavisë, Natalia Gavrilitia, tha para deputetëve të enjten se nevojitet një regjim i ri i furnizimit me energji, pasi kompania ruse, që është furnizuesja më e madhe e Evropës me gaz natyror, e refuzoi kërkesën për riafatizim të pagesave për janar.

Qeveria tha se kompania moldave e gazit, “Moldovagaz”, propozoi që të paguante 38 milionë dollarë për kompaninë ruse deri më 20 janar, ndërsa 25 milionë të tjerë më vonë, por kërkesa u refuzua nga gjiganti rus, shkruan Free Europe.

Gjendja emergjente i jep kabinetit qeveritar më shumë kontroll për ta menaxhuar sektorin e energjisë si ndryshimi i furnizimeve nga industria në amvisëri dhe përdorimi i fondeve shtetërore për ta paguar gazin, tha shefja e qeverisë moldave.

Në fund të vitit të kaluar, Rusia e kërcënoi Moldavinë se do t’ia ndërpresë furnizimin me gaz, nëse palët dështojnë që të arrijnë marrëveshje për zgjatjen e kontratës, afati i së cilës ka skaduar në shtator.

Disa vëzhgues thonë se Rusia është duke e përdorur energjinë e vet si mënyrë për ta ndëshkuar Moldavinë për zgjedhjen e Presidentes Maia Sandu në zgjedhjet e vitit 2020. Kjo politikane ka qëndrime pro-perëndimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme