Ambasada e Francës dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë organizuar një ngjarje të përbashkët për Erasmus Days 2018.
Joseph Giustiniani nga Ambasada e Francës i ftoi studentet që të jenë pjese e programit Erasmus +.
“Frëngjishtja nuk është më vështirë se gjuhët tjera. Është gjuhë e dobishme dhe bënë dallimin në Kosovë dhe në përgjithësi në Bashkimin Evropian. Frëngjishtja është një gjuhë që ju dallon nga tjerët, dhe nuk është aq e komplikuar. Bashkëpunimi që ekziston tani është i llojllojshëm. Bashkëpunimet universitare në mes të vendeve të Evropës funksionon përmes një instrumenti që quhet Erasmus +. Kosova do të jetë një ditë në Bashkimin Evropian mirëpo ju shfrytëzoni këtë rrjet që të krijoni lidhje me njëri tjetrin”, tha ai, raporton EkonomiaOnline.
Prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Merita Kocinaj, tha se studentët duhet të shfrytëzojnë mundësit për të studiuar në vendet e Evropës.
“Universiteti i Prishtinës është institucioni me i lartë arsimor në vend dhe duke pasur një numër të madh të studentëve ne mundohemi t’i bëjmë ballë sfidave të mëdha që kemi. Në mesin e shumë universitete që bashkëpunojmë, ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me ambasadën e Francës duke mbështetur shume aktivitete të universitetit tonë. Duhet t’i shfrytëzoni mundësit e tilla për përvoja dhe bashkëpunime të ndryshme,” shprehet Kocinaj.
Stergios Tragoudas nga Komisioni Evropian zyra në Prishtinë tha se mundësia për të studiuar jashtë ndryshon për të mirë jetën e studenteve, raporton EO.
“Në emër të Komisionit Evropian në Kosovë, ju them se edukimi është prioritet i lartë i zyrës tonë. Jemi të angazhuar në shumë projekte dhe Erasmus + është një zyrë e veçantë që ndihmon studentët që të studiojnë jashtë vendit. Tashmë kërkesa është rritur, duke marr parasysh faktin se pjesa më e madhe e popullit këtu është rini. Prandaj jemi të kënaqur të punojmë së bashku. Erasmus+ është mundësia e vetme për studentet që të njoftohen me nivelin ndërkombëtarë të studimeve. Shumë studentë kanë thënë se mundësia e tillë për të studiuar jashtë ju ka ndryshuar jetën.”