Prokuroja Speciale Drita Hajdari duke folur për monitorimin e gjykimeve të krimeve të luftës ka thënë se theks të veçantë u kanë dhënë lëndëve të krimeve seksuale që janë kryer gjatë luftës.
Hajdari ka thënë se këto raste kërkojnë një strategji të veçantë për procesim sepse janë shumë të ndjeshme, njofton Klan Kosova.
Ajo ka shtuar poashtu se ka propozuar që këto raste të regjistrohen vetëm me iniciale edhe në procedurë, në mënyrë që të mos zbulohet identiteti i viktimave.
Hajdari ka bërë të ditur se kohëve të fundit janë shtuar raportimet e shumta të kësaj kategorie, që sipas saj nënkupton se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë krijuar besueshmëri në Prokurori.
Hajdari këto komente i ka bërë në tryezën e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare ku kjo e fundit ka prezantuar raportin vjetor mbi monitorimin e gjykimeve mbi krimet e luftës dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë.
Sipas Hajdarit, koha e kaluar prej 17 vjetësh paraqet problem të madh për hetimin e krimeve të luftës, marrë parasyh se shumë dëshmitarë kanë vdekur, derisa disa u është zbehur kujtesa ose janë të zhgënjyer dhe nuk duan të dëshmojnë.
Poashtu problem serioz, sipas prokurores paraqet edhe mosprezenca e të dyshuarve në Kosovë, dhe pamundësia e autoriteteve të ndjekjes që ata të mos arrijnë t’i sjellin para Gjykatës.
Kjo për faktin se shumica e të dyshuarve ndodhen në Serbi dhe për shkak të rrethanave politike, Kosova nuk ka fare bashkëpunim me shtetin fqinj i cili nuk ekstradon shtetasit e vet.