Shtresa e ozonit që mbron Tokën nga dëmtimi i rrezatimit diellor po ripërtërihet gradualisht, pas disa vitesh të shterimit, të shkaktuar nga lëshimi i kimikateve të dëmshme, thuhet në një studim të Kombeve të Bashkuara.
Studimi konstatoi se Protokolli i Montrealit, i vitit 1987 për ndalimin global të gazrave të krijuara nga njeriu, si klorofluorokarbonet dhe ftohësit e tjerë, ka nxitur rritje të shtresës së lartë të ozonit nga 1 deri në 3 për qind në dekadë.
“Si rezultat i Protokollit të Montrealit është shmangur shterimi më i madh i ozonit në rajonet polare”, thuhet në raportin e Agjencisë për Mjedis të OKB-së dhe të Organizatës Botërore Meteorologjike.
Sipas të njëjtit, vrimat e gjetura në shtresën e ozonit mbi hemisferën veriore do të “shërohen plotësisht” deri në vitin 2030, ndërsa vrima më e madhe që është mbi Antarktik, do të mbyllet nga vitet 2060.