Ministri i Financave Avdullah Hoti ka bërë të ditur se është shtyrë afati i faljes së borxheve publike edhe për gjashtë muaj.
Në një konferencë për media ministri Hoti ka theksuar se janë konsultuar me kryeministrin Isa Mustafa që ta shtyjnë për gjashtë muaj afatin për faljen e borxheve.
Sipas ministrit Hoti deri më tani janë falur 120 milionë euro borxhe, dhe një pjesë e konsiderueshme janë programuar për t’u paguar për dy apo tri vitet e ardhshme, ndërsa janë inkasuar mbi 50 milionë euro borxhe.
“Javën e ardhshëm do të dalim me një raport përfundimtar për vlerën e borxheve se sa janë shlyer dhe vlerën e borxheve të inkasuar dhe të ri-programuar që për dy apo tri vitet e ardhshme për ty paguar”.
“Pas kërkesave të mëdha të qytetarëve për shlyerjen borxheve, unë jam konsultuar ngushtë me kryeministrin Mustafa, dhe është edhe qëndrimi i kryeministrit që të shtyjmë afatin edhe për 6 muajt e tjerë për ligjin për faljen e borxheve”, tha ministri Hoti.
Ndërsa amandamentimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike ministri i Hoti tha se në pjesën e dytë të shtatorit do ta procedojnë në Kuvend, sepse siç tha ai kjo është çështje ligjore e jo vendim i Ministrisë së Financave, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, theksoi se një gatishmëri e tillë e ministrit të Financave duhet të jetë edhe obligim për komunitetin e biznesit që të jenë sa më transparent, dhe falë ministrit kërkesat e komunitetit të biznesit po zbatohen.
“Fjala e Ministrit të Financave Avdullah Hoti është edhe një dëshmi që viti 2015 dhe viti 20116 , janë vite të dialogut publiko – privat. Po e shihni që gjithë ata skeptik që kanë dyshuar në lobimin tonë, sot po shndërrohet në realitet.
“Kjo është edhe një gatishmëri e Ministrisë së Financave, që përkundër agjendës të stër-ngarkuar politike, ekonomia të mos anashkalohet dhe besoj që një shtyrje e afatit për 6 muaj e tregon edhe një gatishmëri nga MF për krijimin e një gryme të re për sektorin privat dhe të njëjtën kohë një gatishmëri e tillë e Ministrisë së Financave duhet të jetë obligim për komunitetin e biznesit, që të jetë sa më transparent, të jetë sa më azhur në kontabiliteti”, tha Gërxhaliu.
“Ajo çka e veçon këtë vit përveç agjendës politike, është një qasje pak më ndryshe sa i përket proceseve ekonomike. Besoj se është viti i disiplinës financiare, është viti i ndaljes së tenderomanisë masive, dhe e tëra kjo e hap një perspektivë të re për sektorin privat, për komunitetin e biznesit, që vërtetë ardhmërinë ta sheh me një dozë të optimizmit më të lartë”, tha kryetari i OEK-së.
Janë 680 milionë euro borxhe të qytetarëve kanë qenë të parapara të falën në periudhën prej pasluftës deri më 31 dhjetorë 2008.