Gjatë vazhdimit të seancës parlamentare të Kuvendit të Kosovës, në rend dite ishte votimi i Propozim-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.
Kjo rezolutë nuk kaloi sepse vetëm 41 votuan për dhe 7 kundër.
Nuk janë harmonizuar pikat e rezolutës, pasi që veç Nisma, PSD-ja dhe LVV-ja kanë marrë pjesë në harmonizim, ndërsa kryetari Veseli ka theksuar se kjo është rezolutë e njëanshme, raporton Ekonomia Online.
Ai po ashtu kërkoi që mos të bëhet praktikë që partitë politike të mos merren vesh për harmonizimin e pikave të rezolutës.
Fitore Pacolli në emër të LVV-së ka thënë se Grupet Parlamentare si Nisma, PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që të hiqen pikat kryesore si ajo që t’i kërkohet qeverisë të ndërtohen çerdhe, të hapen vende të reja të punës, të sigurohen qytetarët me sigurime shendetësore.
Grupet Parlamentare të Lartëpërmendura në Kuvend kanë ngritur zërin duke thënë se nuk janë në pajtim me pikat e rezolutës.
Memli Krasniqi nga PDK-ja ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dje ka harmonizuar pikat me Grupet Parlamentare por sot në seancë po lexon ndryshe ato pika.
Ai këtë ndryshim të VV-së e quajti dyfytyrësi.
“Problemi është te pika e katërt është ligji antimafia, dhe me sjell një ligj për pasurinë e paligjshme, qekjo po e prek dikon që Memlit i ka ra hise me mbrojtë. Thelbin e kësaj krejt që e shoh, krejt pikat më duken të mira. Të na kallxojnë ma saktë ku e kanë problemin këta”, tha Glauk Konjufca, nga LVV-ja.
Memli Krasniqi, nga PDK-ja, tha se Ligji për pasurinë votohet më 12 qershor, raporton EO.
“Unë kur shpërthej, shpërthej veç ndaj pafytyrësisë dhe dyfytyrësisë së juve, ështe e ulët dhe mos manipulo, këto janë pjesë e programit të qeverisë. Më 12 qershor votohet Ligji për pasurinë, të gjitha këto punë janë duke u kry”.
Muharrem Nitaj, në emër të AAK-së, u bëri thirrje PDK-së dhe Nismës mos ta votojnë këtë rezolutë.
Për deklaratat e Fitore Pacollit, Bilall Sherifi reagoi duke thënë se përfaqësuesja e LVV-së ka manipuluar sepse nuk ka treguar arsyet pse po kërkojnë të hiqen ato pika.
“Ne kërkuam të hiqen ato pika sepse kemi thënë se janë vetëm duke u bërë, sigurimet shëndetësore po, punësimi është pikë e qeverisë edhe veçse ka filluar të implementohet, edhe çerdhet po ndërtohen, kur u ndërtojke një çerdhe në Prishtine i proklamojshit 3, e tash 3 me u ndërtu nuk i shihni. Nuk mund të bëjmë rezolutë për diçka që po punohet sot, nesër dhe në vazhdimësi”.
Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, u shty për një seancë tjetër. Këtë e kërkoi Fitore Pacolli-Dalipi e cila tha se pyetjet i kanë për kryeministrin Haradinaj dhe jo për ministrin e Drejtësisë. Kështu që kërkuan që kjo interpelancë të shtyhet për një seancë tjetër.