Shukri Buja kërkon që edhe Thaçi, Lushtaku e Rama të akuzohen

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 11:05 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njëri nga të akuzuarit në rastin e ashtuquajtur “Veteranët e rrejshëm”, Shukri Buja, pas dështimit të seancës, tha se ky proces është politik, raporton Ekonomia Online.

 “Është një orkestrim i mirë, por që dirigjenti nuk është parë. Nuk u pa por vetëm silueta e tij, në një proces, më shumë politik sesa konkret. Edhe mediet po na quajnë veteranë të rrejshëm, por asnjë institucion e individ nuk e ka shpallur asnjërin veteran të rrejshëm”, tha Buja.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, kërkoi që të mos kursehen nga aktakuzat edhe Rrahman Rama, Sami Lushtaku e Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

“Pse po hezitoni ju mediat? Ata kanë funksione, anëtari i komisionit të rregullt ka qenë komandanti i FSK-së, Rrahman Rama. Të njëjtin funksion e qëndrime i kemi pasur të gjithë. Pse duhet të kursehen Rrahman Rama, Sami Lushtaku, ish-kryeministri Hashim Thaçi, e politika që ka bërë marrëveshje”, deklaroi Buja.

Sipas Bujës, ky proces do të marrë një kohë të gjatë deri në përfundimin e saj.

“Po shihet se do të zgjasë ky proces. Unë si i akuzuar do të ftoj mbi 1200 dëshmitarë, sepse janë 800 që cilësohen si veteranë të rrejshëm edhe eprorë të zonës. Dhe do t’i ftoj këta që të tregojnë gjykatës se kush ua ka nënshkruar këto aplikacione dhe do të ftoj anëtarët e komisioneve të përballemi me një proces tepër të gjatë”, u shpreh Buja.

Ai fajësoi edhe mediet se “i janë bashkuar orkestrës”.

“Dirigjenti është pa fytyrë, përderisa nuk ia shihni fytyrën. Edhe ju si media jeni bërë pjesë e orkestrës… Instrumente të gjykatës që e bëni shumë zhurmë për këtë punë”.

“Prokurori që e ka ngritë këtë çështje e di kush e ka bërë dhe kush e ka shtyrë në këtë drejtim. Le të akuzohet i gjithë komisioni e jo të selektohen”, u shpreh Shukri Buja.

Të ngjashme