Shukri Buja nuk paraqitet në seancë gjyqësore, gjykata lëshon urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka lëshuar urdhërese për sjellje me detyrim në gjykatë, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Deri te ky vendim erdhi, pasi që Buja nuk u paraqit në seancën gjyqësore e cila ishte paraparë të mbahej të mërkurën nga ora 9:00, ku ai së bashku me nëntë persona tjerë po akuzohen për korrupsion në rastin e njohur si “Ferronikeli”.

Në seancë nuk u paraqit as i akuzuari tjetër në këtë rast, Nebih Zeqiri. Edhe për të, gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i Bujës, avokati Arianit Koci, tha se i mbrojturi i tij ka pasur simptoma të sëmundjes COVID-19 dhe për këtë arsye, sot në mëngjes ka shkuar në spital.

Kurse, për të akuzuarin Zeqiri, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, tha se ka marr një njoftim nga ai, përkatësisht një fletëlëshim nga një spital si arsyetim për mungesë në seancën e sotme

Mirëpo, këto arsyetime për mungesën e të akuzuarve, gjyqtari i vlerësoi si të paarsyetuara.

“KTGJ këto mungesa i trajton si të paarsyetuara dhe kundër te njëjtëve, gjykata do të lëshoj urdhëresë për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës”, tha gjykatësi Kalludra.

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme