Blendi Baftiu, Jetmir Topalli dhe Arbër Hoxha, prej edicionit të ardhshëm, nuk pritet të jenë pjesë e Superligës së Kosovës në futboll. Të tre futbollistët e liderit të Superligës, Ballkanit, kanë pranuar oferta nga klube të shteteve të ndryshme të Evropës. Këtë e ka bërë të ditur edhe trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, në emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total”. Munishi pati thënë se për Baftiun bëhet fjalë për një klub të Italisë, që bën gara në Serie A, derisa në përgjithësi për të tre futbollistët e talentuar oferta kanë bërë edhe klubet nga Turqia, Spanja, Belgjika dhe Austria.
“Për tre futbollistët edhe sa kemi qenë në përgatitje në Antalia kemi pranuar oferta konkrete prej klubeve të ndryshme, por marrëveshja jonë me futbollistët është të qëndrojnë edhe për garat evropiane. Për Blendin kemi oferta nga Austria e Belgjika. Para disa ditësh më kanë treguar se një klub nga Italia që garon në Serie A, po ashtu, ka shprehur interesim. Për Arbër Hoxhën nga Turqia dhe Spanja janë disa miq që më kanë kontaktuar personalisht, kurse me menaxherin e Jetmir Topallit nuk kam afërsi, por që Topalli e di që ka oferta konkrete dhe do të jetë atraktiv për klubin e ardhshëm”, ka thënë Munishi.
Munishi nuk i ka bërë publike emrat e klubeve, por ka shtuar se gjithçka do të jetë transparente dhe se nga transferimi i tyre jashtë Kosovës do të përfitojnë të gjithë.
“Duhet të mos shkojnë si kanë shkuar më herët, por të shkojnë me kushte të mira dhe po ashtu të fitojnë edhe klubet. Unë kam besim se do të arrijnë suksese në arenën ndërkombëtare. Pra, nga edicioni ardhshëm janë gjasat e vogla që ata të mbeten pjesë e futbollit të Kosovës, por ne do të shohim edhe lojtarë të tjerë që të zbulojmë edhe më shumë talente. Kjo do të jetë edhe filozofia e Ballkanit”, ka thënë Munishi.