Shumë po e shajmë këtë vend, Majlinda po jep një shembull të mirë

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 01:37 | Nga Driton Latifi

Në Lojërat Olimpike të Londrës më 2012 kur humbi na befasoi të gjithë. Si gazetar i akredituar, kisha rastin ta shikoja nga afër Majlindën derisa po largohet e trishtuar nga tatami, duke e mbajtur me dy duar kokën e shokuar dhe nga mosbesimi se çfarë i kishte ndodhur, Kolegët japonezë dhe të gjithë po e thërrisnin në emër… unë nuk kisha zë.

Trajneri Driton Kuka, i cili kishte krijuar një kampione të madhe si i themi ne nga mahalla, ishte në një shok total. Askush nga ne nuk e hapte gojën, ishte tmerr, ndjenjë e keqe. Nuk e kisha përjetuar asnjë humbje të sportit shqiptar në atë mënyrë…

Sonte, jam i gëzuar se e pashë që ata krahë të njomë të dallëndyshes, si tha një shok i imi, i janë shndërruar në krah të shqiponjës. E dija se aftësitë e saj teknike, sportive, taktike nuk e ndalojnë dot nga suksesi, por i frikësohesha asaj që e quajmë traumë e një humbje. Ndoshta për këtë, në gjysmëfinale ndjeu më shumë se që prisja emocionet. Epo si t’i kontrollojë ato një vajzë e re që njeh vetëm tatamin, ushtrimet, e shumë sakrifica për këtë vend…

Ajo merr një çmim prej 100 mijë euro nga shteti i Kosovës. Për këtë jam krenar që kam qenë pjesë e komisionit parlamentar që kemi ndryshuar ligjin deri këtu. Dhe mos mendoni se ky është ndonjë çmim i madh për të; ajo meriton më shumë, shumë më shumë. Ka refuzuar miliona, është e mishëruar me këtë vend. Ajo është Kosova që shumëkush nuk po e lë të zhvillohet si duhet…

Ditët e fundit kam folur shumë më miq, në lidhje me një fakt që po më pengon. Shumë po e shajmë këtë vend, nuk po trashëgojmë asnjë ndjenjë patriotike për fëmijët e pasardhësit. Më vjen mirë që Majlinda po na jep një shembull të mirë.

Edhe diçka për skeptikët, apo dhe “haterët” si po i thonë: e dimë se problemet e këtij vendi nuk ndryshojmë me një triumf sikur ky, as turpi i politikës, por na jep një krenari neve njerëzve të rëndomtë, së paku të flasim për diçka të mirë nga ky vend.

Shteti i Kosovës u shpall dhe atë e ndjenjë ata që e vizitojnë, por ky sport i yni, ky sukses i Majlindës, prej shteti në shtet, prej kontinenti në kontinent, e bën që këtë tokë ta njohin të gjithë, ta njohin këtë shtet. Ky është dallimi ndërmjet shtetit administrativ dhe suksesit të sportistëve të tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme