Shumë politikanë shkelën Kushtetutën në 13 vjet që nga themelimi i saj

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Politikanët që kanë mbajtur pozita të rëndësishme në vend kanë shkelur Kushtetutën që prej themelimit, 13 vjet me parë. Dy presidentë janë larguar nga pozitat e tyre për shkak të shkeljeve, ose zgjedhjes jokushtetuese. Në shkelje të Kushtetutës ishin përfshirë edhe Qeveria Mustafa, Kurti 1, derisa Qeveria Hoti ishte krijuar në kundërshtim me të
Për më shumë se një dekadë, Gjykata Kushtetuese shpesh ka përcaktuar rrjedhën e zhvillimeve politike.

Kushtetuta e vjetër 13 vjet, është shkelur nga politikanë që mbanin pozitat kyç të vendit.

Një nga të parët që e shkelën ishte Fatmir Sejdiu. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e pati interpretuar si shkelje të rëndë të Kushtetutës rastin e ish-presidentit Sejdiu me mbajtjen e dy posteve, atë të presidentit të vendit dhe kreut të LDK-së.

Një vit me vonë, Kushtetua u shkel sërish nga Kuvendi i Kosovës, në llogari të njeriut që synonte të bëhej president i Kosovës.

Behgjet Pacolli qëndroi në këtë post rreth një muaj, pasi Kushtetuesja konstatoi se zgjedhja e tij në këtë pozitë ishte në kundërshtim me nenin 86 të Kushtetutës.

Të dy presidentët, pas veprimeve të tyre, ishin detyruar të jepnin dorëheqje.

Kushtetuta u shkel edhe në vitin 2015 nga Qeveria e drejtuar asokohe nga Isa Mustafa. Antikushtetuese do të shpallej marrëveshja e lidhur prej saj, për Themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, PDK-ja i kishte shpëtuar opozitës, para 6 vjetësh. Për rreth gjashtë muaj rresht LDK-ja, Vetëvendosja, AAK-ja e Nisma ishin zotuar se do ta dërgonin PDK-në në opozitë, duke bërë koalicion paszgjedhor, por sipas aktgjykimit të Kushtetueses, PDK-së së asaj kohe i takonte mandatari. LDK-ja bëri marrëveshje me PDK-në për të marrë kështu postin e kryeministrit, dhe për ta bërë Hashim Thaçin president të vendit.

Edhe Qeveria Kurti 1 e shkeli Kushtetutën. Kjo qeveri vitin e kaluar pati marrë vendim për ta kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, si masë anti-Covid. Këtë vendim Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm.

E Qeveria që e pasoi Kurtin pati probleme edhe më të mëdha. Vota e një të dënuari për korrupsion e kishte bërë të mundur krijimin e Qeverisë Hoti. Një gjë e tillë, sipas Kushtetueses, ishte e jashtëligjshme. Ky aktgjykim rezultoi me zgjedhje të reja, duke ia kthyer pushtetin Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Sipas profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, sa herë që politikanët e shkelin Kushtetutën, janë qytetarët ata që përballen me pasoja.

“Kemi dhjetëra ligje të anuluara, kemi dhjetëra akte të qeverive, kryeministrave të anuluara, kemi shumë akte të komunave të anuluara, madje kemi edhe vendime të Gjykatës Supreme të cilat Gjykata Kushtetuese i ka shpallë jo kushtetuese. Pra kush po e shkelë kushtetutën, vet shteti dhe institucionet shtetërore, qytetarët praktikisht këtu janë viktima, sa herë që shteti e shkelë kushtetutën viktima janë qytetarët, ata pësojnë sepse dëmin nuk e kanë vet liderët, as kryetarët e partive, pra dëmi shkon të qytetarët me krizë politike, me mungesë të zhvillimin ekonomik, me papunësi”, është shprehur Bajrami.

Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë juridik i Republikës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008. Bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur Pavarësia e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezer

Të ngjashme