Si do të ndikojë tek bizneset rritja e pagës minimale në 250 euro?

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Qeveria nën udhëheqjen e Albin Kurtit ka paralajmëruar rritjen e pagës minimale në Kosovë në 250 euro, mirëpo shoqatat e bizneseve shprehin rezerva rreth këtij vendimi dhe ndikimit që do të ketë tek bizneset.

Nga 170 euro sa është aktualisht paga minimale në Kosovë pritet të ngritet në 250 euro. Kështu parashihet në programin e qeverisë Kurti, mirëpo shoqatat e bizneseve shprehin rezerva rreth këtij vendimi dhe ndikimit që do të ketë tek bizneset.

Ata vlerësojnë se para se të merret vendimi për rritjen e pagës minimale, duhet të merren parasysh disa faktorë si: ndryshimi i ligjit për pagën minimale, rritja ekonomike e vendit që të mund të bëhet një rritje e pagës minimale, punësimi si dhe kostoja e jetesës.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tha për Buletinin Ekonomik se paralajmërimi për rritjen e pagës minimale në Kosovë nga qeveria, nuk është vendim që i përmbush kriteret e ligjit për rritje të pagës dhe kjo do të ketë ndikim në buxhetin e shtetit mbi 100 milionë euro në nivel vjetor për shkak se veteranët janë ata të cilët paguhen me pagë minimale.

Sipas tij, janë mbi 40 mijë veteranë të luftës në vend, të cilët paguhen me këtë pagë dhe do të varen kryesisht prej buxhetit të vendit.

“Kjo pagë duhet të rritet vetëm në bazë të ligjit, edhe ligji mund të ndryshojë, por paraprakisht duhet të ndryshojë ligji e tek më pas të ndryshojë paga minimale dhe të rritet edhe paga”, u shpreh Shahini.

Ndërkohë, ditë më parë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Berat Rukiqi, përmes një postimi në facebook bëri të ditur se janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh kur të vendoset paga minimale. Sipas tij, është një metodologji me të cilën përcaktohet paga, duke përfshirë faktorin e rritjes ekonomike, punësimit në vend, kostoja e jetesës e të tjera.

“Shumë pak kompani në Kosovë kanë mbetur me pagë minimale. Është rritur kosto e punës. Minimum kompani kanë mbetur me pagë 200 euro sepse askush më nuk vjen të punojë me këtë pagë”, shkroi Rukiqi.

Përveç kësaj, Rukiqi shtoi se në Kosovë së pari duhet të luftohet informaliteti në punësim, pasi një kontratë formale do t’ua rritë të drejtat dhe mirëqenien punëtorëve.

Ndërsa, Shahini nga AKB-ja vlerëson se paga minimale në Kosovë nuk mund të jetë mbi 210 euro në asnjë formë duke iu referuar ligjit dhe kritereve për paga, dhe vetëm në rast të ndryshimit të ligjit paga minimale mund të rritet. Por, sipas Shahinit, paga minimale nuk ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarit për vendin, për shkak se paga minimale në Kosovë është një numër i vogël në krahasim më numrin më të madh të punëtorëve në sektorin privat që marrin pagë më të lartë.

Tashmë pas pandemisë, Shahini shpjegon se bizneset janë në krizë më të thellë sesa në vitin 2019, gjë që ka ndikuar edhe në pagat e punëtorëve, të cilat janë bërë problem për sektorin privat, për shkak të rënies së aktivitetit ekonomik.

“Besoj se në kuadër të kësaj Qeveria duhet t’i ketë dy pako, njërën për rritje të pagës, tjetra për lëhtësim të bizneseve për rimbursim të pagës”, rekomandon Shahini.

Ndërkaq sa i përket rritjes dhe ndikimit që do të ketë rritja e pagës minimale në vend tek bizneset, Shahini u shpreh se te disa biznese pa dyshim se do të ketë ndikim negativ për shkak se nuk kanë potencial t’i mbajnë të gjithë punëtorët në punë me pagën e re, kurse për disa të tjera do të jetë e padukshme për shkak se pagat tashmë janë më të larta. Ai theksoi se rritjen e pagës minimale, sfidë do ta kenë mikrondërmarrjet dhe ekonomitë familjare të cilat pasi ndodhen në krizë do të detyrohen që t’u japin punëtorëve pagë më të ulët sesa ajo e rëndomta.

Ndërkohë, Burim Piraj, drejtues i kompanisë vendore “Meka”, tha për Buletinin Ekonomik se paga minimale në Kosovë nuk do të duhej të ishte nën 350 euro edhe pse sipas tij kjo pagë është shumë e vogël në krahasim me nevojat e një qytetari për të jetuar një jetë të dinjitetshme.

“Unë si biznesmen ndoshta kam pikëpamje të tjera me kolegët e mi dhe me politikanët sepse mendoj se nuk mund të ketë kompani të suksesshme nëse vetëm pronari është i kënaqur, nëse vetëm pronari arrin të ketë profit të kënaqur ose nga aspekti i politikës politikani të ruajë pozitën e vetë dhe rrogën e majme për veti e për të tjerët të mos interesohet”, tha Piraj.

Ai tregoi edhe pagën minimale në biznesin e tij duke thënë se është 385 euro bruto, por shpjegoi se as ajo pagë nuk është se është krejt e përballueshme për biznesin e tij, mirëpo thotë se padyshim se do të japë frytet e veta në suksesin e kompanisë së tij në të ardhmen.

Në anën tjetër, Piraj u shpreh i indinjuar edhe me qytetarët, pasi thotë se jo rastësisht vendi jonë ndodhet në një nivel ekonomik të pafavorshëm, kjo për shkak se si popull vazhdojmë t’u japim përparësi prodhimeve të importit, kurse ato vendore i lëmë gati të fundit në shportën tonë.

“Unë shumë shpesh në market takoj zyrtar dhe punëtorë administrativ që me paratë e taksave të kosovarëve të varfër i marrin pagat e tyre ndërsa më besoni që shumica prej tyre vetëm prodhime të importit blejnë dhe kjo është një papërgjegjësi e madhe sepse ata pikë së pari vetvetes i bëjnë padrejtësi e më pas dhe tërë vendit, vetvetes sepse duke pas ekonomi të dobët as pagat e tyre nuk mund të rriten e as pagat e sektorit privat për të cilat sot ne po e shprehim mendimin tonë”, përfundoi Piraj.

Ndryshe, rritja e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndodhur që nga viti 2011. Nga AKB-ja thonë se sipas ligjit, duhet që për çdo vit të ketë rritje të pagës minimale në bazë të rritjes ekonomike të vendit, edhe pse nga ky institucion shpjegojnë se se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë për shkak të mospajtimeve politike. /Buletini Ekonomik/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme