Çështja e negociatave ndërkombëtare mes aktorëve ndërkombëtar çdo herë ka qenë një çështje për shtetet më shumë një çështje që kërkon legjitimitet karshi ligjshmërisë. Pra, më shumë kërkon unitet se sa që kërkon përmbajtje të ligjeve në formën e tyre abstrakte.
Çdo herë ligjorja (kushtetuta, ligjet dhe akte të tjera më të vogla) janë ndërtuar mbi racionalen (të arsyeshmen), dhe nëse ka ndodhë e kundërta, atëherë këto kanë ndodhë dhe ndodhin në diktatura, por edhe në vende me demokraci formale (demokraci të manipuluar), ku ligjet interpretohen sipas qejfeve dhe interesave të klasës politike.
Në Kosovë sistemi politik funksional është “oligarki funksionale brenda demokracisë
formale”. Ky sistem po mundëson që të ketë sundues dhe të sunduar, duke e kthyer Kosovën në bashkësi kastash cinike dhe jo në shoqëri individualiste demokratike. Rrjedhimisht edhe ligjet po interpretohen sipas qejfeve të klasës sunduese, dhe po gjen ky interpretim mbështetje edhe tek propaganda e shumë analistëve mbi gjykimet abstrakte që u bëhen ligjeve, shpesh kjo po ndodh se disa prej tyre janë të shitur, një pjesë tjetër që nuk dinë fare të lexojnë komentare dhe literaturë shkencore.
Gjithë kjo ishte një lloj shpjegimi mbi çështjen e interpretimit për përfaqësueshmerinë e Kosovës në dialogun me Serbinë. Se neni kaq dhe neni aq i kushtetutës, apo i ligjit/eve të caktuara shkruan kështu e ashtu, dhe i jep kompetenca Presidentit, apo ndonjë institucioni tjetër. Shumica e atyre opinioneve janë gabim, për më keq edhe manipulim i qëllimshëm, madje shumë herë edhe majmë i paguar.
Përfaqësim dhe negociata me legjitimitet dhe ligjshmëri
Demokracia kërkon ndërtimin e ligjshmërisë mbi legjitimitetin, pra e vë arsyen dhe racionalen para veprimeve pa skrupuj dhe pa gjak.
Për t’i rënë shkurt; Kushtetuta duhet të interpretohet mbi arsyen dhe interesin demokratik të popullit të Kosovës, dhe si mund të bëhet kjo?
Nuk shkohet në negociata me asnjë shtet duke u thirrur në nene dhe kompetenca kushtetuese e ligjeve tjera për negociata, as nuk nxjerrën platforma dhe të imponohen ato platforma të pasakta vetëm bazuar në disa ligje e nene.
Pra, interpretimi i ligjeve kërkon njerëz demokratik dhe shtetar, ku kompetencat kushtetuese nga perspektiva e presidentit interpretohen duke e zbatuar Kushtetutën dhe arsyeshmërinë si tërësi, duke përfaqësuar unitetin e popullit dhe të përfaqësuese të popullit, ndryshe është autoritarizëm dhe krim.
Kur interpretohet një çështje, mblidhen gjitha ligjet, komentarët, literatura shkencore, etj., që flasin mbi atë çështje mblidhet dhe interpretohet si tërësi, sepse ndryshe ligjorja do ishte sakatuese si çështje abstrakte.
Shembull; nëse Presidenti i Kosovës tani shkon në negociata pa platformën unike dhe përkrahjen e përfaqësuesve të popullit, shkel Kushtetutën në atë që thirret si përfaqësues i unitetit të popullit.
Edhe në rastin tonë, për çështjen e dialogut me Serbinë, për çështje që kanë rëndësi shtetërore me ndikime afatgjata, shtetarët demokratë ligjet i interpretojnë dhe zbatojnë mbi legjitimitetin e nevojshëm, ndryshe autoritaristët ligjoren e shfrytëzojnë për interesa sunduese dhe imponim të subjektivitetit të tij aspak të arsyeshëm.
Thënë përmbledhtazi: dialogu më Serbinë, kërkon që edhe nëse këtë dialog e përfaqëson Presidenti, të zbatoj pozicionin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, apo edhe nëse e përfaqëson Qeveria, njëjtë duhet të veprohet, dhe gjithë klasa përfaqësuese duhet të shprehë një unitet dhe të përfaqësohet Kosova denjësisht.
Ndryshe interpretimi abstrakt i ligjeve siç po ndodhë në Kosovë ku Presidenti së pari por edhe qeveria bëjnë dialog e marrëveshje krye në vete nuk bënë pjesë aspak në diskursin dhe praktikën e vendeve demokratike të botës dhe nuk tregon asgjë me shumë se oligarki dhe sundim duke shmangur plotësisht qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre nga jeta publike shtetërore. Uniteti dhe platforma unike janë të domosdoshme për stabilitet shtetëror, dhe çdo veprim ndryshe është akt kundër shtetit të Kosovës. Madje për t’i gjetur zgjidhje kësaj çështje, është në praktikën ndërkombëtare si zgjedhje koncensuale krijimi i një grupi diplomatik që përfaqëson shtetin dhe unitetin.