Presidenti i Rusisë Vladimir Putin duket se po e bën atë që e di më së miri me lidershipin në Beograd. Ai po e zvarrit një vizitë që ua kishte premtuar serbëve muaj më parë. Aleksandar Vuçiq e kishte paralajmëruar udhëtimin e mysafirit të lartë rus qysh në qershor duke thënë se Putin do të shkojë në Beograd në muajin tetor. Në vend të Putin u tha se në Beograd do të zbarkojë kryediplomati rus Sergey Lavrov pikërisht në ditën kur u votua qeverie e re serbe, por edhe vizita e tij u anulua me arsyetimin se ai është i vetë izoluar për shkak të kontakteve më një të infektuar me Covid – 19. A po i hakmerret rusët për ngjarjen e 4 shtatorit, kur Vuçiq e Hoti nënshkruan marrëveshje me Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Aleksandar Vuçiq ka ndjekur një qasje prej servili në raport me Vladimir Putinin dhe Rusinë, që prej se është bërë adresa numër një e politikës serbe. Ky konformizëm i ka siguruar atij disa udhëtime në Rusi dhe vizita të Vladimir Putinit në Beograd. Presidenti serb me cdo kusht ka dashur bashkëkombësve të tij t’ua çojë mesazhin se i ka dyert e hapura në Kremlin duke u lavdëruar pothuaj në secilën paraqitje për dhjetëra takime me liderin rus. Por, ky mesazh i Vuciq nuk i është drejtuar vetëm serbëve dhe Rusisë. Autokrati serb mesazhin kryesor duket se ia ka destinuar pjesës tjetër të botës duke dashur të thotë se është i aftë të bëjë politikë duke luajtur me disa karta dhe se Serbia duhet të merret seriozisht. Pra mesazh për BE, SHBA’në e pse edhe Kinës dhe Turqisë me të cilët ka kultivuar raporte të ngushta, se ka afër vetes edhe partnerë tjerë.
Çedomir Antic, një historian serb dëshirën e Vuciq për t’u dukur lider manovrues në ujërat e politikës ndërkombëtare është komentuar si një dëshirë e presidentit serb për ta kënaqur çarshinë në 40 anët e saj: se është për Evropë, për marrëveshje, për Serbinë e Madhe, për Jugosllavinë e Madhe, se është si Tito, si Garashanini e si Pashiqi”
Vuciq është kujdesur që deklarativisht të tregojë se Serbia kultivon një marrëdhënie speciale me rusët. Por, cfarë ndodhë në praktikë. Publikisht ai flet me kënaqësi se Serbia nuk ka pranuar ti vë sanksione Rusisë të cilat i ka kërkuar BE. Vuçiq flet rusisht në takimet me rusët, ka thënë se do të jetë i pari që do ta marrë vaksinën ruse kundër Covid 19 posa të arrijë në Serbi. Po ashtu Serbia është pjesëmarrëse e ushtrimeve ushtarake të përbashkëta me Rusinë dhe shpesh blen armë atje përfshirë edhe aeroplanë. Vuciq e përsërit vazhdimisht atë që rusët duan ta dëgjojnë se Serbia nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e NATO’s, edhe pse kjo në Serbi më shumë ka lidhje me bombardimet të kryera nga aleanca në vitin 1999 për shkak të masakrave në Kosovë.
Në, anën tjetër Serbia ka refuzuar t’i japë status diplomatik personelit rusë në bazën humanitare të vendosur në Nish pavarësisht kërkesave të pandërprera ruse. Personeli i NATO’s në Serbi e ka këtë status.
Por, çfarë i acaroi kohëve të fundit marrëdhëniet dy palëshe?
Menjëherë pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator nga Moska erdhi në sulm i papritur. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse Maria Zakharova nëpërmjet pamjeve të filmit të njohur “Basic Instict” akuzoi Vuçiqin se i hapi këmbët para amerikanëve duke e pranuar marrëveshjen që ia ofroi Trump. Kjo nxiti një reagimn të ashpër duke thënë se postimi i saj ishte vulgar dhe primitiv dhe se më së shumti flet për zëdhënësen dhe për ata që e kanë punësuar atë.
Pas kësaj, u tha se Putin i ka kërkuar falje Vuçiqit, të cilën sipas mediave botërore Putin e bën rrallë.
Nga ana e Beogradit, ky episod po tentohet të lihet në harresë. I fundit që ka tentuar të tregojë se marrëdhëniet ruso -serbe nuk janë cenuar është Ambasadori serb në Moskë Miroslav Lazanski, ish komentatori i çështjeve politiko ushtarake i cili në Beograd njihet për raportimet e tij për situatën në Kosovë në vitet 90 ‘të “për luftën e shtetit serb kundër terrorizmit në krahinë” dhe për inskenimet që bëheshin për të arsyetuar brutalitetin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Lazanski para dy ditësh në RTS ka thënë se për raportet Beograd -Moskë ka pasur komente keqdashëse por që raportet mes dy vendeve janë shumë stabile dhe se dy vendet kanë miqësi dhe partneritet strategjik.
Lazanski tha se të mërkurën në Serbi shkon shefi i diplomacisë ruse, pikërisht në ditën kur do të votohej qeveria e re në Serbi, duke thënë se kjo megjithatë është një rastësi e jo ndonjë simbolikë.
Por, Lazanski u demantua në mbrëmje kur u dha lajmi se Lavrov nuk do të udhëtojë në Serbi për shkak se është vetëizolim për faktin se ka pasur kontakt me një person të infektuar m Covid 19. Pak a shumë i njëjti arsyetim është bërë edhe për shtyrjen e vizitës së Putin. Bashkëpunëtorët e tij kanë theksuar se shefi i shtetit rus nuk është duke udhëtuar askund në kohë pandemie. Putin është i njohur për strategjinë e tij për t’i lënë në pritje ata që duan ta takojnë. Këtë detaj e kishte zbuluar vetë Marko Gjuriq, i cili do të shkojë në Ëashington si ambasador, duke thënë se Vuciq kishte pritur Putinin me orë për ta takuar kur i kishte shkuar për vizitë.