Studentët serbë akuzojnë Patriarkun e Serbisë për nënshtrim ndaj regjimeve autoritare të Vuçiqit dhe Putinit

Prishtinë | 25 Pri 2025 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Studentët protestues kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi kanë kritikuar ashpër Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, për deklaratat e tij të fundit, të cilat kanë nxitur reagime të forta publike, përfshirë edhe në lidhje me çështjen e Kosovës.

Në një reagim të publikuar nga mediat serbe, studentët e akuzuan Patriarkun për “tradhti morale dhe shpirtërore ndaj popullit”, për “përulje ndaj politikave ruse” si dhe për “neglizhencë ndaj krizës së thellë që po përjeton rinia serbe”.

“Çdo njeri që mban veshur mantelin kishtar duhet të qëndrojë pranë studentëve, pranë fëmijëve të tij, në rrugë, duke mbrojtur dinjitetin e popullit,” thuhet në deklaratën e studentëve. “Ju, në vend të kësaj, keni zgjedhur të uleni pranë një autokrati që e ka futur vendin në luftë dhe nxit frikë, përçarje dhe represion.”

Me tone të forta simbolike, njëri prej studentëve deklaroi: “Ashtu si Juda e tradhtoi Krishtin, ashtu keni tradhtuar ju studentët, popullin dhe të vërtetën.”

Zemërimi i studentëve u intensifikua pas deklaratave të Patriarkut Porfirije gjatë një vizite zyrtare në Rusi, ku u prit nga presidenti Vladimir Putin. Gjatë vizitës, ai deklaroi se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kosovës, Republikës Srpska dhe Malit të Zi “varet nga pozicioni i shtetit rus”, duke shtuar se “shpresa e popullit serb është më e madhe tek Moska sesa tek vetë Serbia” dhe se “në rast të një ndarjeje të re gjeopolitike në botë, dëshira e Serbisë është të jemi pranë botës ruse”.

Sipas mediave ruse dhe atyre pro-qeveritare në Serbi, kreu i KOS shprehu mirënjohje ndaj Rusisë dhe Kinës për mbështetjen e tyre në lidhje me Kosovën, duke deklaruar: “Nuk e di çfarë do të ndodhte me Kosovën po të mos ishin Rusia dhe Kina”.

Të ngjashme