Si mësoi “i mbijetuari” i Chapecoenses të ëndërrojë sërish

Prishtinë | 20 Tet 2019 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Në çdo fatkeqësi ajrore, ka njerëz që me fat e kanë shmangur atë. Ata do të duhej të ishin aty, por fati ka bërë që të mos jenë. Ata janë fatlum, por natyrisht, një pasuri e tillë vjen me një çmim. Barra psikologjike nuk është e lehtë për t’u përballuar dhe do të qëndrojë me ta përgjithmonë.

Lourency, është anëtari i parë dhe i fundit i gjeneratës fatkeqe të Chapoecoense, që arriti në futbollin evropian për të vazhduar karrierën. Ai është pjesë e Gil Vicente, ekip që bën gara në kampionatin e Portugalisë, të cilit iu bashkua kohë më parë, përcjell Koha Ditore shkrimin e The Independent.

Kur përmendet emri i ekipit të futbollit, Chapoecoense të gjithë e dinë fatin e keq të tij. Fatkeqësia e Chapoecoenses ndodhi më 28 nëntor të vitit 2016 kur ekipi mori rrugë për në Kolumbi, që të luajë kundër Atletico Nacionalit në kuadër të finales së Copa Sudamericana.

Aeroplani u rrëzua në periferi të Medellinit, duke lënë të vdekur 71 prej 77 personave sa ishin në bord. 19 futbollistët dhe trajneri i ekipit nga Brazilit, Caio Junior ishin në mesin e viktimave të kësaj fatkeqësie ajrore.

Lourency, një sulmues krahu shumë premtues 20-vjeçar, që sapo ishte futur në ekipin e parë të Chapoecoenses, ishte dashur ta bënte atë udhëtim për në Kolumbi.

“Kam pasur disa paraqitje të mira dhe mua më premtuan se do të më merrnin me vete për finalen ndaj Atletico Nacionalit. Është dashur të jem pjesë e atij udhëtimi”, kujton Lourency. “Por, ekipi duhej fillimisht të luante një ndeshje të kotë kampionati kundër Palmeirasit në Sao Paulo. Kështu që, menaxhmenti më kërkoi që të mos shkoja me Palmeirasin, në mënyrë që të qëndroja me ekipin U-20 për t’i ndihmuar për shkak se luftonin për titull. Pas Palmeirasit, ekipi do të kthehej për mua dhe do të nisesha edhe unë me ta për në Kolumbi”.

Por për fatin e tij të mirë, ekipi vazhdoi rrugën pa të.

“Planet ndryshuan në momentet e fundit. Unë është dashur të jem me ta për të shkuar në Medellin, por ekipi në vend se të kthehej në Chapeco, vendosi që nga Sao Paulo të fluturonte direkt për në Kolumbi. Kjo është arsyeja e vetme që unë mbeta dhe nuk isha në atë aeroplan”, shprehet Lourency.

Sikur të respektohej orari i premtuar, atëherë tragjedia mbase nuk do të kishte ndodhur, kështu që Lourency mbeti i shtangur kur u informua për tragjedinë. Ai mezi e përballoi atë.

“Ato ishin ditë të errëta. Mora vesh për lajmin në katër të mëngjesit dhe nuk mund të besoja. Nuk kam fjetur për dy javë, pasi vazhdimisht mendoja për bashkëlojtarët e humbur”, shpjegon ai.

Largimi i detyrueshëm nga klubi

“Për ekipin kam vetëm kujtime të mira. Kam humbur shumë shokë përnjëherë. Tiaguinhon, Canelan, Marcelo Auguston, Josimarin, Denerin… të gjithë ishin shumë të afërt me mua. Raporte të veçanta kam pasur edhe me trajnerin. Ai ishte personi që më dha rastin dhe pati besim tek unë. Kurrë nuk do ta harroj”.

Dy muaj më vonë, pasi humbi mentorin në tragjedi, rritja dhe zhvillimi i sulmuesit u ndal, pasi ai assesi nuk po mund ta merrte veten.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme