Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Klan Kosova.
Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë.