Në Shqipëri kemi shumë resorte. Po, po janë shumë. Çdo hotel me një element alla vjenez, apo bashkëkohor dhe me disa lehtësi në ambientet e tij, ka filluar të vetëquhet resort. Në fakt ky është koncepti shqiptar për resortet por qëështë larg konceptit që ekziston në sektor sipas standardeve botërore. Gjithsesi këtë amulli kategorizimi, pritet që ta zgjidhë reformimi i sektorit, për të cilën qeveria e tanishme dhe e ardhshme është zotëruar ta zbatojë në mandatin e dytë. Mes gjithë kategorive të ndryshme të strukturave akomoduese duket se ajo e restoreve reale është pjesa që na mungon por që si një vend që aspiron një zhvillim domethënës të sektorit, duhet ta plotësojë. Tashmë janë dhënë lejet e para për resorte dhe fshatra turistikë por që ende asnjëri prej tyre nuk ka nisur të japë frytet në sektor.
Një ndër ta është edhe projekti San Pietro në Gjirin e Lalzit, një investim me vlerë 88 milionë euroi EdilAl dhe ConcordInvestment, për të cilin është deklaruar se do të menaxhohet nga një emër ndërkombëtar, Melia, një eksperiencë e parë kjo për vendin tonë. Ermira Brozi, Drejtore Marketingu pranë EdilAl, që është edhe kompania që po ndërton këtëresort jep edhe disa detaje mbi mënyrën sesi është konceptuar ky projekt, targetin që synon të ketë, interesin për rezervime dhe modelin që do të zbatohet.
Ajo pohon se San Pietro Resort me një koncept inovator, që ndërthur banimin dhe turizmin, ndikon në zhvillimin e zonës dhe sjell pikërisht atë që mungon: turizmin elitar. Projekti zhvillohet në një truall me sipërfaqe prej 350.000 m2 dhe 1500 m vijë bregdetare. Projekti parashikon zonën rezidenciale luksoze dhe hotelin me 5 yje. Risi, sipas saj, është fakti që menaxhimi është lënë në dorë të një emri ndërkombëtar, grupit spanjoll, “MeliáHotelsInternational. “Kompleksi San Pietro nisi ndërtimin në prill dhe ka avancuar në pjesën e hapjes së rrugëve dhe ndërtimit të vilave dhe palazzina-ve (ndërtime tipike multi-familjare me lartësi të moderuar në 4-5 kate)” shprehet ajo.
Si është konceptuar ndërtimi
“Projekti është i organizuar në Vila, Palazzina, godinat e shërbimeve në zonat e përbashkëta si dhe zona relaksi e kënde sportive. Të gjitha të përfshira nga rrjeti organik i rrugëve dhe gjelbërimi i bollshëm, i cili zë mbi 70% të truallit. Janë projektuar 4 lloje të ndryshme vilash si dhe 4 lloje te ndryshme palazzina-sh, të cilat variojnë nga sipërfaqja dhe konfigurimi i brendshëm. Tipet e vilave janë: elitë; individuale; të bashkangjitur dyshe dhe te bashkangjitur katërshe. Të gjitha kanë 2 kate dhe një gjysmë-bodrum i cili jep mundësinë për hidroizolimin më të mirë si dhe kalimin e rrjeteve inxhinierike të ndryshme. Çdo vilë ka parcelën personale të gjelbëruar e cila varion nga 400m² deri ne 1200m². Palazzina-t – Godinat e Apartamenteve janë gjithashtu 4 lloje të ndryshme, me nga 3 kate secila.
Modeli që do të aplikohet
Kur flitet për model resorti në vendin tonë njihet gjerësisht fama e Turqisë sepse gjithmonë e më shumë po orientohemi drejt këtij destinacioni. Por a do të jetë ky modeli që do të ndjekë San Pietro?Në fakt jo. Busull do të jetë modeli europian duke qenë se edhe San Pietro është një “krijesë” që përfshin tre shtete në hallkat e tij. “San Pietro” është realizuar në bashkëpunimitalo-spanjoll- shqiptar. Studio lider e projektimit është studio italiane “OikosProgetti”, grupi i arkitekteve të Meliá Hotels International dhe studio lokale e projektimit EdilAl. Modeli mund të themi që është një ndërthurje mes atij italian dhe spanjoll, pra jemi brenda modeleve europiane të projektimit por dhe menaxhimit që do zhvillohet si pjesa rezidenciale ashtu dhe ajo e hotelerisë.
Kanë nisur rezervimet
Shqipëria duket se po përjeton ditët e saj të mira me një vëmendje në rritje, madje në një rritje të tillë që rrezikon të mos i përgjigjet siç duhet. Ermira pohon të njëjtin interes edhe për rezervime për resortin që është praktikisht në themele dhe do ende kohë të përfundojë. Ka interes të veçantë nga vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi, por dhe nga vende si Polonia, Hungaria, Italia dhe Spanja (kjo në veçanti për vetë emrin e menaxhuesit të hotelit).
“Ngërçi” i shërbimit a ka punonjës për këtë standard
“Kamerieri nuk ishte i sjellshëm”, “menaxheri nuk buzëqeshi”, “stafi nuk fliste anglisht” janë këto disa nga zhargonet që has më shpesh në përshtypjet e të huajve për shërbimin në Shqipëri. E ndërsa mund të ecësh në pjesën e investimeve ty të duhet që edhe shërbimi t’i përgjigjet këtij standardi. “Pjesa e shërbimeve ka filluar të ketë një lëvizje pozitive. Me përmasimin e shkollave profesionale, rregullimin e legjislacionit, mendojmë që deri në 2019 që hapet faza e parë ne do jemi në gjendje ta plotësojmë me staf të kualifikuar për nevojat e resortit. Gjithsesi, rekrutimi dhe trajnimet përkatëse do fillojnë në një fazë të paktën 6 muaj më parë se hapja, pikërisht për të qenë të kompletuar.
Target grupi dhe paketat
Normalisht në një projekt ka gjithmonë një plan biznesi ku përcaktohen të gjitha detajet. Elementi më i rëndësishëm dhe që një biznes duhet ta ketë të qartë është target grupi që synon. Synojmë klientë mesatarë, si dhe high (të pasur) e high end (super të pasur- kjo kategori klientësh bën diferencën në përfitimet e resorteve pasi shpenzon në shumë të jashtëzakonshme). Klientë vendas dhe të huaj me një shtrirje nga rajoni si Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi por dhe më gjerë si spanjollë, italianë dhe vende te tjera ku MeliaGroup njihet dhe ka klientelë. Një risi mund të jenë dhe hungarezët, meqenëse u hap linja lowcost me Budapestin WizzAir” shprehet Ermira. Por ndërsa është e qartë se çfarë targeti synojmë, një target që sjell të ardhura të konsiderueshme në sektor duket se ende nuk ka një plan final për paketat që do të ofrohen. (Monitor.al)