Pjesa më pak e njohur pas fenomenit Bitcoin është baza e të dhënave digjitale e njohur si blockchain.
Blockchain, ndër të tjera, mund të shërbejë si një mjet i përsosur për të luftuar korrupsionin që ka pllakosur shumë vende duke i kthyer ato në vende pa perspektivë ekonomike.
Këto vende rendom njihen për kriza sociale dhe stagnim, të cilat pastaj manifestohen me migrim masiv, siç është rasti me Kosovën dhe Shqipërinë.
Në mbarë botën, vetëm ryshfeti vlerësohet të kushtojë dhjetëra miliarda dollarë humbje në vit, ndërsa korrupsioni merr një taksë shumë më të madhe, sipas studimit të FMN-së, “Korrupsioni: Kostot dhe Strategjitë e Parandalimit”.
Ky studim zbulon se korrupsioni dekurajon investimet private, pengon rritjen ekonomike dhe inkurajon migrimin masiv.
Për ta përkufizuar, korrupsion quajmë kur zyrtarët abuzojnë me fondet publike për përfitime personale përmes mashtrimit apo ryshfetit, në këtë mënyrë abuzohet me buxhetin që duhej shpenzuar për shëndetësi, arsimim cilësor, dhe shërbime të tjera që përfitojnë shoqëritë në tërësi.
Kemi shumë raste që mund t’u referohemi, nga Zimbabve në Venezuelë, por rasti i fundit në Shqipëri flet shumë për fenomenin e korrupsionit në vendet e Ballkanit. Dhe vendet tona, për fat të keq, prijnë në këtë fenomen negativ i cili shtrihet gjerësisht nga administrata e deri tek zyra e Kryeministrit dhe Presidentit.
Vetëm gjatë këtij viti, me dhjetëra deputetë e deri tek ish-Presidenti në Shqipëri janë arrestuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, lajm ky që ka bërë bujë të madhe në mediat ndërkombëtare.
Ironia e tërë kësaj është jo sepse arrestohet Ilir Meta nën akuzën e korrupsionit nga njesia speciale SPAK, por sepse drejtësisë shqiptare ju deshtë një njësi e pamvarur antikorrupsion për të vepruar mbi abuzimet e shumta te cilat gjykatat vendase nuk vepronin, e as nuk do të veprojnë dot për shkak të ndikimit politik.
Raste identike ka patur edhe Rumania dhe Kroacia si kusht para anëtarësimit në BE.
Në Kosovë, situata është e njëjtë në mos më keq, dhe ajo që të gjitha vendet Ballkanike kanë të përbashkët është në fakt abuzimi i parasë publike, nepotizmi, dhe qasja inferiore ndaj teknologjise novatore.
Blockchain, ose databaza e decentralizuar digjitale është një risi që mund të ndihmojë në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, duke luftuar korrupsionin dhe duke tërhequr investitorët e huaj në të njëjtën kohë.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror (WEF), digjitalizimi i shërbimeve përmes blockchain janë iniciativat inovative për të cilat vendet e zhvilluara po bëjnë përgatitjet e duhura për aplikimin e tyre.
Jo rastësisht, Estonia njihet për transformimin e saj të shpejtë digjital duke nxitur kështu inovacionin dhe duke luftuar korrupsionin politik në të njëjtën kohë.
Kosova mund ta bënte këtë lehtësisht përmes blockchain, për të tërhequr investitorë të huaj dhe për të frenuar emigrimin, ndërsa problemet me korrupsionin do t’i takonin të kaluarës dhe ja disa fakte pse mendoj kështu;
– Blockchain ofron siguri me kontrata publike, kjo pasi ajo rrit transparencën dhe të dhënat nuk mund të ndryshohen apo fshihen nga aty.
– Blockchain është një aplikacion lehtësisht i aksesueshëm, një bazë të dhënash ku mund të vëzhgohen kontratat e nënshkruara ndërmjet subjekteve publike dhe private, kush fitoi, kush ofertoi, dhe cilat ishin kushtet e tenderimit.
Meqenëse marrëveshjet korruptive priren të ndodhin përmes procedurave tenderuese, blockchain është një nga mjetet më efikase që kemi për ta luftuar këtë dukuri.
Me pak fjalë, blockchain mund të shërbejë jo vetëm si një mjet kundër korrupsionit, por edhe si një antidot ndaj nepotizmit dhe punësimeve partiake e familjare që ka ngulfatur administratën publike duke e kthyer atë në një qendër rehabilitimi për ‘analfabetët funksional’, ku vetëm shërbimi për qytetarin mungon.
Pra, korrupsioni lulëzon në vendet me demokraci të brishtë dhe ku politikëbërja është zgjedhja e preferuar për të fituar pasuri të paligjshme duke sabotuar mirëqenien e popullit.
Të shtyrë nga varfëria, papunësia, dhe korrupsioni, më shumë se një e treta e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar në 20 vitet e fundit, ndërsa rreth 300 mijë qytetarë u larguan nga Kosova në dekadën e fundit, sipas të dhënave nga IOM-i.
Këto të dhëna duket se nuk i shqetësojnë liderët politikë që të bëjnë diçka më tepër në luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë që Komisioni Europian vijon me fondet e dedikuara për “reformat” për vendet e Ballkanit, në vend që të kërkojë llogari për fondet paraprake, të cilat rëndom përfundojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar, (siç kemi rastin me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja).
Nuk është çudi pse abuzimet me fondet publike nuk kanë të ndalur, sepse kemi zero llogaridhënie nga individët që më tepër kanë vendin prapa grilave, se sa para arkës shtetrore.
Shikoni rastin e fundit në Kosovë, ku një punonjës i thjeshtë nga Ministria e Mjedisit u kap duke deponuar qindra mijëra euro të padeklaruara, ndërsa aferat korruptive në sektorin e energjisë nuk kanë të ndalur.
Kujtojmë skandalin me arbitrazhin e fundit ku Kosova humbi mbi 22 milionë euro dhe mundësinë e ndërtimit të një termocentrali të ri, ndërsa askush nuk dha spjegim se pse ndodhi kjo.
Pra, ne kemi një konstelacion të zhytur në afera korruptive, dhe ajo që mbetet si një mjet efektiv dhe për të cilën askush nuk ka guxim të flasë publikisht është në fakt teknologjia Blockchain.
Ndërsa të tjerat që dëgjojmë në parlament, qoftë nga pozita apo opozita janë marrëzira dhe humbje kohe, apo thënë në mënyrë metaforike një monolog me djallin, siç preferonte ti quante filozofi gjerman Niçe demagogët qe nuk ofronin zgjidhje, por gënjeshtra dhe mashtrime.
Si përfundim, ne kemi shumë afera korruptive që kanë sjellur varfërim shoqëror, migrim masiv, dhe një stagnim të frikshëm ekonomikë.