Të vlerësohesh për punën e vështirë është një dëshirë njerëzore universale. Por shpesh, punëdhënësit e humbin mundësinë për t’u shprehur mirënjohjen punonjësve të tyre, të cilët e vënë punën në vijë.
Një studim i fundit i Workhuman gjeti se më shumë se gjysma e të intervistuarve (53%) dëshironin që punëdhënësit t’u ofronin më shumë mirënjohje për atë çfarë bënin. 31% pohuan se mirënjohja kishte ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin drejt suksesit. Thuajse një në katër persona pohuan se mirënjohja nga ana e një kolegu apo drejtuesi rrit produktivitetin.
Kërkime të tjera konfirmojnë vlerën e mirënjohjes nga ana e punëdhënësve. Sipas një artikulli të publikuar në Journal of Personality and Social Psychology, punonjësit të cilët falënderoheshin rregullisht prireshin të bënin më shumë përpjekje, të prisnin ngrohtë kolegët e rinj dhe të ndihmonin kolegët krahasuar me ata që nuk merrnin mirënjohje për punën e tyre.
“Lidhja midis përvojës së punonjësve dhe rezultateve të biznesit është e pagabueshme, siç tregojnë të dhënat tona, njerëzit më të lumtur bëjnë edhe një punë më cilësore”, thotë Yuri Brown-Cruzat, zëvendës-president, Workplace Rights i Workhuman.
Pavarësisht kësaj, shumë punëdhënës dështojnë t’u shprehin mirënjohjen punonjësve në mënyrë të vazhdueshme. Sondazhi gjeti se 72% besojnë se mirënjohja në vendin e punës promovon qëndrimin e punonjësve në kompani; më shumë se gjysma (56%) thanë se kompanitë nuk e festojnë Employee Appreciation Day (Ditën e Vlerësimit të Punonjësve). Ndër të tjera, më shumë se 25% rrallë ose kurrë bën sondazhe vlerësimi.
Edhe më keq, nga perspektiva e një force pune gjithëpërfshirëse, gratë pohuan se merrnin falënderime në një normë më të ulët se kolegët e tyre burra (përkatësisht më pak se 19% krahasuar me më shumë se 25%)
“Drejtuesit duhet ta njohin këtë pabarazi dhe të zbatojnë procese për të kuptuar më mirë nëse kjo ndodh në kompaninë e tyre”, thotë Brown-Cruzat.
Çdo mars, të premten e parë, kompanitë festojnë një festë jozyrtare Employee Appreciation Day. (Festa e Vlerësimit të Punonjësve). Këtë vit, ajo është më 5 Mars. Dhe nuk ka kohë më të mirë për të vlerësuar punonjësit.
Tri barriera për mirënjohjen e punonjësve
Nëse mirënjohja e rregullt sjell avantazhe kaq të dukshme, pse nuk ka më shumë kompani që të bëjnë hapa përpara për të falënderuar punonjësit.
Këto janë tri barrierat që mund të pengojnë rritjen e kompanisë suaj në këtë drejtim:
– Të qenët shumë i zënë
– Besimi se mirënjohja është si një përkëdhelje e egos së punonjësve
– Mendimi se mirënjohja e punonjësve duhet të jetë e ndërlikuar.
Tri mënyra për të falënderuar punonjësit
Çfarë kërkojnë punonjësit në dëshirën e tyre për mirënjohje? Rezulton se kjo nuk është shumë e ndërlikuar. Më poshtë janë tre mënyra se si t’u tregoni punonjësve vlerësimin tuaj, jo vetëm më 5 Mars, por gjatë gjithë vitit.
Mjafton të thoni faleminderit – Më shumë se 60% e të intervistuarve pohuan se thjesht një “faleminderit” dhe forma të tjera mirënjohjeje do të plotësonin nevojën e tyre për mirënjohje. Po, punonjësit paguhen për punën e tyre, por punëdhënësit duhet të kuptojnë se paratë nuk kanë të njëjtën vlerë si falënderimi. Një shprehje personale dhe njerëzore e mirënjohjes mund t’i bëjë punonjësit të kuptojnë se puna që ata bëjnë ka rënë në sy dhe është vlerësuar.
Festoni momentet personale dhe profesionale – A ka përfunduar së fundi ekipi juaj një projekt të rëndësishëm? A ka arritur dikush një moment historik në kompaninë tuaj? Po ditëlindjet dhe momentet e tjera të rëndësishme personale? Këto janë të gjitha mundësi për të festuar, për njerëzit që japin më të mirën çdo ditë në punën që bëjnë. Përqendrimi i vëmendjes në këto momente mund ta bëjë vendin e punës më familjar dhe punonjësit do të kuptojnë se ata vlerësohen përtej aftësisë për të bërë punën.
Vlerësojini ata jo vetëm me fjalë – Sipas një sondazhi, shpërblimi me një bonus ishte mënyra kryesore që punonjësit thanë se do të ndiheshin të vlerësuar (56%). Falënderimi dhe festimi i momenteve historike të punonjësve janë mënyra relativisht të lehta dhe të lira për t’u bërë të ditur punonjësve se e vlerësoni punën e tyre. Por mirënjohja, nëpërmjet një bonusi, e çon vlerësimin në një nivel krejt tjetër.