Si të menaxhoni shoqërinë në një mjedis pune

Prishtinë | 13 Gus 2023 | 07:24 | Nga Ekonomia Online

Vendi i punës është vendi ku kaloni shumicën e kohës tuaj dhe janë të shumta rastet kur kolegët kthehen edhe në miqtë tuja jo vetëm në zyrë, por edhe jashtë saj.

Por realisht kur është fjala për miqësitë e zyrës, sa duhet të afrohemi me ta? A do të ndikojë kjo shoqëri në karrierën dhe punën tuaj?

Të kesh një njeri për të biseduar mund të jetë me të vërtetë e dobishme dhe vendimtar për lumturinë tuaj. Nëse keni një aleat kjo do të thotë që të keni dikë që do ju jap një mendim të sinqertë lidhur me idetë tuaja, para se ju t’ia prezantoni ato shefit apo në një mbledhje.

Dhe kur keni miq në punë, do të ndikojë në një punë, kreativitet dhe produktivitet më të mirë dhe të kënaqshëm.

Por pavarësisht gjërave të mira ka disa kufi që nuk duhet t’i kaloni ose të paktën duhet të tregoheni të kujdesshme. Ja disa këshilla si të mirëmenaxhoni shoqërinë brenda një ambienti pune.

1. Gjeni dikë që do e keni krahë ndihme – Pa marrë parasysh sa e doni punën tuaj, do të ketë ditë që do të bëhet e vështirë. Gjeni një mik që do të jetë aty për t’ju ndihmuar kur të keni situata të vështira dhe frustruese. Në momentin që ju nuk jeni në humorin apo me energjinë e duhur do të jetë miku juaj që do të krijojë një energji pozitive. Është e rëndësishme për t’u theksuar se ky inkurajim dhe pozitivitet duhet të jenë të lira nga çdo lloj konkurrence ose xhelozi, faktorë të përbashkët që mund të lindin midis kolegëve. Nëse keni një shok pune, i cili nuk është në gjendje të përballojë diskutime të frytshme, të hapur dhe të vlerësojë atë që ju propozoni, atëherë nuk është miku juaj.

2. Shmangni thashethemet – Stresi dhe pakënaqësitë në vendin e punës mund të çojnë në thashetheme dhe biseda negative, që nuk janë kurrë një ide e mirë.

3. Mos diskutoni vetëm për punë – Nëse jeni duke kultivuar një miqësi të vërtetë në zyrë, atëherë temat tuaja çojini edhe jashtë punës. Kjo do ju afrojë më shumë dhe të kaloni një kohë së bashku edhe pas orarit të punës.

4. Mbajini disa gjëra për veten tuaj – Pa marrë parasysh se sa i besueshëm është bashkëpunëtorja juaj, mos diskutoni kurrë së bashku gjërat konfidenciale pasi nuk do e dini kurrë se do t’ju kundërvihet më vonë apo jo. Është joprofesionale të ndani informacionin e pagave apo çështjeve të ndryshme në punë, kur ju janë besuar vetëm juve.

Të ngjashme