Si t’i bindim serbët ta pranojnë shtetin e Kosovës, Latifi e ka një opsion, por është pesimist

Prishtinë | 30 Tet 2022 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar Blerim Latifi ka thënë se aktualisht ne nuk mund t’i bindim serbët që të ndryshojnë sjellje në raport me Kosovën, pasi që për ta shteti i Kosovës është një krijesë e përkohshme .

Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka treguar një opsion në rastin si ky, kur problemi duket i pazgjidhur as me të mirë, as me të keq.

“Para së gjithash duhet filluar me premisën se kur nuk ka rrugë të shkurtër, duhet t’i biesh rrugës së gjatë, e në rastin për të cilin po flasim rruga e gjatë është zhvillimi e fuqizimi i shtetit”, shkruan ai.

Latifi e sheh të vështirë që Kosova me elitën aktuale politike të ndërtojë një vizion për të tashmen dhe të ardhmen e shtetit.

Postimi i tij i plotë:

Gjithmonë ka dy mënyra për ta ndryshuar sjelljen politike të tjetrit: njëra quhet arti i të bindurit, tjetra detyrimi me forcë. Aktualisht ne nuk i kemi në dispozicion asnjërën prej këtyre mënyrave për t’i bërë serbët e Kosovës që të ndryshojnë sjelljen e tyre në raport me shtetin e Kosovës.

Nuk i bindim dot, sepse për ta shteti i Kosovës është një krijesë e përkohshme dhe në të ardhmen Kosova sërish do të bëhet pjesë e Serbisë edhe praktikisht.

Nuk i detyrojmë dot, sepse ushtarakisht nuk jemi në gjendje t’i detyrojmë, por edhe sikur të ishim, vështirë se do të na mirëkuptonte bota perëndimore.

Çfarë duhet bërë në situata të tilla kur as me t’mirë e as me t’keq nuk mund ta zgjidhësh një problem?

Para së gjithash duhet filluar me premisën se kur nuk ka rrugë të shkurtër, duhet t’i biesh rrugës së gjatë, e në rastin për të cilin po flasim rruga e gjatë është zhvillimi e fuqizimi i shtetit.

Pse kjo është rrugë e gjatë?

Sepse kërkon mund të jashtëzakonshëm kolektiv dhe atdhedashuri të llojit si të hebrenjve. Edhe pas 74 vitesh të formimit të tij, fqinjët arabë nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit, por asnjëri prej tyre nuk ia mban t’ia mësyj asgjësimit të tij, sepse e di se çka e pret: një katastrofë edhe ma e madhe se Lufta e 6 Ditëve e vitit 1967.

A jemi të aftë që një lloj vizioni të ngjashëm ta ndërtojmë për të tashmen dhe të ardhmen e shtetit tonë?

Me kët’ elitë politike që kemi dhe me kët’ nivel të mjerë kulture që kemi, vështirë të japim përgjigje pohuese në kët’ pyetje.

Të ngjashme