Si do t’i përgjigjen rikthimit për zhbërjen e Speciales LDK-ja e VV-ja

Prishtinë | 13 Jan 2018 | 14:24 | Nga

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdojnë të mos e përkrahin iniciativën për zhbërjen e Speciales.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e cila do të mbahet të mërkurën, më 17 janar, në rend të ditës ka kërkesën e deputetëve për Procedimin e Projektligjit për Shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special si dhe kërkesën e Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, për Seancë të Jashtëzakonshme.

Drama e 22 dhjetorit të vitit të kaluar do të vazhdojë edhe javën që po vjen, pra të mërkurën.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha për Koha.net se qëndrimi i LDK-së, mbetet i njëjti që ka qenë.

“Qëndrimi i LDK-së është i qartë. Kërkesa e miqve tanë ndërkombëtar është e qartë, përfshirë edhe rekomandimin nga dy të dërguarit special të Francës dhe Gjermanisë ditën e enjte”, tha ai.

Hoti cilësoi se tendenca për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar dëmton subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugën e saj drejt strukturave euro- atlantike.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha për Koha.net se ata do të vazhdojnë të jenë kundër Gjykatës Speciale, pasi sipas saj, Specialja vetëm se do të paraqes një pasqyrë të shtrembëruar për të vërtetën dhe luftën e drejtë të UÇK-së.

“Ne nuk kemi arritur të shohim ende se cila është kërkesa e veteranëve sepse siç e dimë nënshkrimet janë mbledhur për plotësim ndryshim të ligjit aktual ndërsa nisma e 43 deputetëve ka qenë për shfuqizim të ligjit. Është bërë një lëmsh i paparë vetëm e vetëm për interesat personale të njerëzve që bartin poste të larta, duke filluar nga Presidenti aktual”, tha ajo.

Haxhiu tha se përkundër insistimit e kundërshtimit të tyre, Kuvendi pati përkrahur amandamentin kushtetues për Specialen.

“Pra tani Gjykata Speciale është kategori kushtetuese dhe nuk mund të hiqet përmes ligjit. Këtë e dijnë edhe deputetët që kanë vënë firmat e tyre mbi atë letër porse po kontrollohen nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ajo çfarë po i duhet këtyre është presioni që përmes nismave të tilla t’i thonë ndërkombëtarëve për të hequr emrin e tyre nga lista e të akuzuarve”, shtoi ajo.

Haxhiu ndër të tjera tha se iniciatorëve të kësaj nisme, nuk ua ndien as për luftën e as për bashkëpunëtorët e shokët ë luftës por vetëm për vetën, siç tha ajo, “prandaj janë në gjendje të bëjnë gjithçka, të rrezikojnë edhe Kosovën”.

“Ne si subjekt politik vazhdojmë të jemi kundër Gjykatës Speciale pasi që e njëjta do të paraqes një pasqyrë të shtrembëruar për të vërtetën dhe luftën e drejtë të UÇK!”, tha Haxhiu për Koha.net.

Ndërkohë edhe nga AKR-ja, sot bënë të ditur se nuk do të përkrahin iniciativën e cila dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme